Albin Kurti shpallet kryeministër i Kosovës

Albin Kurti shpallet kryeministër i Kosovës

Albin Kurti është shpallur kryeministër i Republikës së Kosovës, raporton Insajderi.

Me 67 vota pro, 30 kundër dhe pa asnjë abstenim, Kurti mori timonin që të drejtojë ekzekutivin.

Ai ka paraqitur edhe përbërjen e Qeverisë e cila do t’i menaxhojë dikasteret.

Albin Kurti është kryeministri i tetë i Kosovës së pasluftës.

Ky është mandati  tij i dytë – mandatin e parë e kishte jetëshkurtër, më pak se dy muaj.

Lëvizja Vetëvendosje! fitoi mbi 50 përqind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të hënën në seancën konstituive, deputetët e Kuvendit të Kosovës formuan një Komision të Përkohshëm për t’i verifikuar mandatet e deputetëve që burojnë pikërisht nga votimet e 14 shkurtit.

58 deputetë mori Lëvizja Vetëvendosje!, 19 Partia Demokratike e Kosovës, 15 Lidhja Demokratike e Kosovës, 10 Lista Serbe, 8 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe 10 deputetë komunitet pakicë joserbe.

Nga këta deputetë 69 e votuan Glauk Konjufcën si kryeparlamentar.

Pak minuta në fund zyrtarisht mori mandatin nga Vjosa Osmani e cila synon pozitën e Presidentit.

Teksa Glauk Konjufca, falënderoi ish-krye parlamentaren Vjosa Osmani – aty paralajmëroi se do të mbahet edhe seanca për formimin e Qeverisë.

Kështu në ora 16:30, ishte mbledhur kryesia e Kuvendit për ta thirrur në ora 17:00 seancën për formimin e Qeverisë.

Ne seancë, Kurti paraqiti përbërjen qeveritare – bashkë me të edhe një plan qeverisës.

Plan qeverisës që u kritikua shumë nga opozita, duke pretenduar se “nuk është konkret” e “shumë sipërfaqësor”.

Opozita, votoi kundër Kurtit kryeministër dhe kur ky i mori 67 vota për ta drejtuar ekzekutivin – opozitarët lëshuan sallën. Nuk e dëgjuan fjalimin e tij.

Gjatë fjalimit të tij Kurti tha se “dje ishte kandidat nga një parti e sot është kryeministër i të gjithëve”.

Në rast se nuk veprojnë kështu, kreu i ekzekutivit tha se “qytetarët i largojnë me votë ashtu siç i sollën në pushtet me votë”. /Insajderi.com