Profesori Seb Bytyqi, i përzgjedhuri nga ministria e Arsimit, për anëtar të Bordit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, ka reaguar pas akuzave se emërimi i tij është bërë pa kriter.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, të premten deklaroi se profesori Bytyqi para vendimit të ministres së Arsimit, Arberie Nagavcit, nuk ishte i rekomanduar nga komisioni për vlerësimin e anëtarëve të Bordit të KShC-së.
Lidhur me këtë, Bytyqi tha se nuk ka qenë në dijeni se kush ka qenë në komision përzgjedhës e as kush ka vendosur për të.
“Nuk e di kush ka qenë në komision përzgjedhës, dhe se kush i ka vlerësuar kandidatët. Nëse nuk më kanë përfshi mua në listën e ngushtë, atëherë po u them çelni sytë, nuk kanë kandidatë më të përshtatshëm. Unë kam përvojë të gjatë në arsim. Kam përvojë edhe në cilësi, në akreditim edhe në sektorin publik dhe privat”, u shpreh ai në emisionin “Frontal” në T7.
Madje Bytyqi tha se njeri më të duhur se ai nuk ka për anëtarë të bordit të KShC-së./Insajderi.com