
Gjykata e Apelit, ka konfirmuar sot se ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve, të Ismet Osmanit “Curri”, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, duke e lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj tyre.
Insajderi ka raportuar të mërkuren lidhur me këtë vendim të Apelit.
“Gjykata e Apelit, i ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës se paraburgimit prej një muaji, kunder të pandehurve I.O.,I.B., A.Th. dhe M.M. Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 20.05.2019, sipas të cilit kjo masë do të zgjas deri me datën 20.06.2019, mbetet në fuqi“, thuhet në komunikatën e Apelit lidhur me këtë rast.
Sipas komunikatës së Apelit, edhe kjo gjykatë, njësoj sikurse gjykata e shkallës së parë vlerëson se ka bazë të mjaftueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve në fjalë, në kuptim të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
“Kjo ngase ekziston dyshimi i bazuar se e kanë kryer veprën penale për të cilën po dyshohen, ndërsa ka arsye për të besuar se ata mund të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo do të mund ta përsërisin veprën penale”, thuhet në tutje në komunikatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 maj, u kishte caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarve në fjalë, ndërsa të arrestuarin tjetër në këtë rast Rrahim Hashimin e ka lënë të lirë.