Arrestohet Fitim Thaqi, për kërcënimin e kryeredaktorit Vehbi Kajtazi

Arrestohet Fitim Thaqi, për kërcënimin e kryeredaktorit Vehbi Kajtazi

Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë Fitim Thaqi, për kërcënime të vazhdueshme të kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi përmes Facebook-ut.

“Viktima mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se përmes rrjeteve sociale Facebook, nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar është duke pranuar mesazhe kërcënuese. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, njofton policia e Kosovës.

Kajtazi e ka lajmëruar Policinë e Kosovës edhe ditë më parë se ka pranuar mesazhe kërcënuese nga Thaqi, madje, ai ka përdorur edhe gjuhë të urrejtjes si “bashkëpunëtor i Serbisë, anti UÇK”, etj.

Kajtazi, ka ngritur kallëzim penal ndaj Fitim Thaqit, pasi nga ai ishte kërcënuar edhe më herët, kjo krejt në lidhje me punën që ai e bën si gazetar.

Fitim Thaqi, para dy vitesh në pikë të ditës kishte sulmuar fizikisht Vehbi Kajtazin, për çka ishte dënuar me katër muaj burg, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, por që ishte liruar me kusht.