Mosekzekutimi i pagave për punonjësit që janë në grevë është duke e shqetësuar Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Kështu ka thënë kryetari i këtij asociacionit, Sazan Ibrahimi për SHQIP.com duke pohuar se punëdhënësit e kanë obligim ta kryen pagesën deri me datën 5 të muajit.
Ai ka thënë se ka mos koordinim në mes të nivelin qendror dhe lokal dhe për këtë janë duke pësuar keq.
“Ne si komuna vetëm jemi duke pësuar nga kjo situatë, dmth tash do të ishte anomali nëse kryetarët e komunave nuk do të reagonin kur punonjësit e tyre nuk i marrin pagat, apo i marrin ato në mënyre selektive. Ky ka qenë shqetësimi që është ngritur dje dhe është kërkuar që të këtë një dialog të sinqertë më nivelin qendrore dhe sindikatat në mënyrë që të mos pësojnë qytetarët. Dmth komunat janë duke u dëmtuar nga ky mosbashkëpunim dhe ky është problemi”, tha ai për SHQIP.com.
Ai ka thënë se ka presion nga niveli qendror sa i përket listës së punëtoreve që janë në greva.
“Shumica absolute e komunave janë në grevë dhe nuk ka kush ti dorëzojë ato lista”.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.
Ndryshe, në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës./Insajderi.com