Dy muaj pasi mori detyrën e të parit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ka hasur në problemin e angazhimit të punëtorëve për shërbime të veçanta që bie ndesh me ligjin e ri për shërbyesit civilë.
Ai në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, ka akuzuar ish-qeverisjen lokale të LDK-së, pasi tha se kjo e fundit i ka mbajtur jashtëligjshëm 57 punëtorë në sektorin publik, 20 prej të cilëve u kanë skaduar kontratat mbi vepër dhe rrjedhimisht kanë mbetur pa punë.
Sipas tij, në Komunën e Podujevës ka punëtorë që 7-10 vite kanë punuar me kontratë mbi vepër, anipse Ligji për punë dhe ai për shërbyes civilë nuk e lejon mbajtjen e një personi me kontratë mbi vepër më shumë se 120 ditë brenda një viti.
“Më e keqja është se një pjesë e këtyre punëtorëve nuk hyjnë në kategorinë e punëve specifike. Një pastrues në komunë dhe një roje objekti kanë punuar për 10 vite me kontratë mbi vepër, ndërsa me të tilla kontrata kanë punuar edhe disa në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”, ka thënë i pari i Podujevës.
Madje, sipas Bulliqit, LDK-ja në vend që të gjejë një mënyrë për t’i sistemuar këta persona, ata kanë marrë njerëz të rinj për të njëjtat pozita dhe i kanë punësuar me kontrata të rregullta.
Se shkelje të ligjit të punës LDK-ja ka bërë gjatë qeverisjes së saj në këtë komunë e ka pranuar edhe vetë kandidati për kryetar të Podujevës nga kjo parti, Nexhmi Rudari.
Këtë veprim Rudari e ka arsyetuar me pamundësinë e rritjes së numrit të të punësuarve me kontrata të rregullta.
“Gjithnjë në pamundësi ligjore që të rrisim numrin e të punësuarve me kontrata të rregullta për shkak të numrit të kufizuar të punësuarve në komuna, por edhe për shkak të pamundësisë së shpalljes së konkurseve për shkak të mos futjes në fuqi të ligjit të ri”, ka deklaruar ai për Insajderi-n.
Madje, Rudari për një shkelje të tillë e ka fajësuar edhe qeverisjen aktuale të Shpejtim Bulliqit.
“Sigurisht që edhe qeveria e re lokale është duke punësuar staf në këtë mënyrë për arsyet e njëjta që i ceka më lartë. Komunat vazhdimisht kanë kërkuar që t’u lejohet punësimi i stafit konform nevojave të qytetarëve P.sh hapja e ambulancave të mjekësisë familjare nëpër fshatrat ku më parë nuk kanë ekzistuar, kurse nuk është lejuar shtimi i të punësuarve ose njëjtë me shkollat, çerdhet”, ka thënë tutje Rudari.
Ndërkohë, kryetari aktual i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë se janë duke u përpjekur për të gjetur forma për ta ndihmuar këtë kategori të punëtorëve, të cilët kanë përvojë disavjeçare.
“Ne do ta respektojmë ligjin. Jemi duke bërë përpjekje për ta gjetur një formë për t’i ndihmuar këta persona. Kemi planin B, C dhe D. Këta me planin A kanë funksionuar, ndërsa ne jemi duke hulumtuar mënyra si t’u dalim në ndihmë”, pohoi Bulliqi.
Qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë ishte e lidhur me emrin e nënkryetarit të kësaj partie, Agim Veliut, i cili e udhëhoqi këtë komunë për më shumë se 14 vjet.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, Veliu la postin e kryetarit të komunës për t’u bërë ministër i Brendshëm.
Ushtrues detyre i kryetarit të Podujevës u emërua Nexhmi Rudari, i cili këtë pozitë e mbajti deri më 7 dhjetor të vitit 2020, kur në zgjedhje doli fitues Shpejtim Bulliqi. Ky i fundit, pak ditë pasi erdhi në pushtet, u akuzua nga ish-qeverisja e LDK-së për tentim të punësimit të militantëve partiakë në drejtoritë e shkollave.
Më shumë detaje lidhur me vendimin për zgjedhjen e drejtorëve në shkolla fillore dhe të mesme të kësaj komune i gjeni në linkun e mëposhtëm. /Insajderi.com
Akuza mes LDK-së e VV-së në Podujevë, shkak zgjedhja e drejtorëve nëpër shkolla