Deklarata e Osmanit për kushtet e kthimit të saj Mustafa i quan “interesante” dhe të “mençura”

Deklarata e Osmanit për kushtet e kthimit të saj Mustafa i quan “interesante” dhe të “mençura”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ironizuar me deklaratën e Vjosa Osmanit, e cila tha se për të folur për mundësinë e kthimit në LDK, duhet të largohet kryesia aktuale e këtij subjekti politik.

“Deklaratë shumë interesante, …dhe e mençur!?”, ka thënë shkurt Mustafa në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi.

Ndërsa, në një prononcim për Telegrafin, i pari i LDK-së ka vazhduar ironinë ndaj Osmanit duke thënë se dikujt mund t’i bie ndërmend të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Nuk e shoh të arsyeshme të komentoj, çfarë kujt i bie ndërmend të deklarojë. Mund t’i bie ndërmend dikujt nga ne të bëhet edhe mbretëreshë e Mbretërisë së Bashkuar, në qoftë së tërhiqet Elizabeta”, ka thënë Mustafa.

Osmani në një deklaratë të dhënë mbrëmë në debatin “Kallxo Pernime”, ka thënë se njerëzit e LDK-së që besojnë në vlera mund t’i bashkohen iniciativës së saj të re.

“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur. Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve. “Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijnë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, ka thënë ajo.

Vjosa Osmani është shkarkuar nga detyra e saj si nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës muaj më parë.

Që nga largimi i saj, ajo ka kundërshtuar lidershipin e kësaj partie politike, e në veçanti kreun e saj, Isa Mustafa. Përplasjet kishin filluar pasi Osmani kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas largimit nga LDK-ja, Osmani ka hedhur poshtë mundësinë që t’i bashkohet ndonjë partie tjetër politike në Kosovë, por ka thënë se është duke punuar në krijimin e një iniciative të re.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të këtij viti, Osmani ka njoftuar se do të garojë me një listë të re. Ajo tashmë ka filluar fushatën zgjedhore me sloganin “Guxo”./Insajderi.com