Deklarata që ngriu raportet mes Vetëvendosjes e LDK-së, për çka shërbyen gjashtë takimet tjera?

Deklarata që ngriu raportet mes Vetëvendosjes e LDK-së, për çka shërbyen gjashtë takimet tjera?

E nisën me takime të grupeve teknike ku pati ‘goxha’ pajtueshmëri, por ende nuk po dihet se cili do të jetë epilogu i bisedimeve mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mundësinë e bashkëqeverisjes.

Kjo për shkak të kësaj deklarate të nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”, ka thënë mbrëmë Konjufca në Pressing.

Konjufca u shpreh se Vetëvendosje nuk e priste këtë kushtëzim, duke treguar se përse nuk u arrit marrëveshja me Lidhjen Demokratike.

Ndaj deklaratës së nënkryetari të VV-së reagoi Lumir Abdixhiku. Ai tha se marrëveshjet e mosmarrëveshjet mes partnerëve zgjidhen mes vete, sy më sy, e jo me ofendime nëpër studio televizive.

Deklarata e Konjufcës erdhi një ditë pas takimit të të hënës me (2 dhjetor) që pati kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti me Isa Mustafën – takim që zgjati rreth 3 orë, por nuk rezultoi i suksesshëm. Marrëveshja finale nuk u arrit.

Kurti pas këtij takimi para mediave tha se do të vazhdojnë prapë takimet dhe se kanë disa dallime me LDK-në.

“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejtë më kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa që ta përcaktojmë takimin e radhës sa i përket ditës dhe orës që të vazhdojmë drejt marrëveshjes”, tha ai para mediave.
E kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se biseda me Kurtin ishte përmbajtjesore, por që marrëveshja ende nuk është arritur.

“Ne patëm një bisedë mjaft përmbajtjesorë sepse pa biseda të tilla është e vështirë që të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshëm katër vjeçar natyrisht se ne kemi pasur pajtueshmëri sa I përket programit qeverisës, kemi edhe çështje të tjera që i kemi diskutuar sot për të cilat do të punojmë për të arritur përafrim, sot nuk ka marrëveshje për koalicion ka marrëveshje që të punojmë e të hulumtojmë rrugë që të përafrohemi qëndrimet tona. Dallimet tona do të jua tregojmë kur të jua përafrojmë”, ka thënë ai.

Pas finalizimit të marrëveshjes mes grupeve punuese të LVV-së dhe LDK-së. Kurti e Mustafa u takuan edhe me 30 nëntor. Nga ky takim pritej t’i jepej fund negociatave rreth arritjes së koalicionit qeverisës. E që marrëveshja mund të arrihet së shpejti, madje qysh në fillim të javës së ardhshme, gjë që nuk ndodhi.

Raportet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokrate të Kosovës momentalisht janë të ngrira. Shkak posti i Presidentti dhe Ministra e Punëve të Brendshme.

Por, çka u diskutua në gjashtë takimet mes grupeve punues të VV-së e LDK-së?

Grupet Punues të të dyja partive u formuan menjëherë pas rezultateve preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të datës 6 tetor. Qëllimi i tyre ishte harmonizimi i programit qeverisës dhe detaje tjera rreth bashkëpunimit.

Fillimisht u takuan Albin Kurti e Isa Mustafa së bashku me kandidaten për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani. U pajtuan sa i përket zvogëlimit të numrit të ministrive dhe përfshirjes së grave në qeverisje.
E pas këtij takimi pasun takimet mes grupeve punuese.

Takimi i parë është ai i datës 18 tetor i cili u mbajt në selinë e LDK-së. Nga Lëvizja Vetëvendosje morrën pjesë Besnik Bisilimi dhe Glauk Konjufca teksa nga LDK-së, ishin Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti. Në këtë takim u disktua për harmonizim e programeve të paralajmëruar pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Zgjati 2 orë, dhe më pas u bë e ditur se dy grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes.

Ky ishte takimi i parë, pas takimit mes liderëve të partive.

Pesë ditë pas takimit të parë u mbajt edhe takimi i dytë. Takimi i dytë u mbajt me 23 tetor kësaj radhe në selinë e Vetëvendosjes. Dy grupet punues kishin diskutuar rreth formatit qeverisës, zhvillimit ekonomik , arsimit, shëndetësisë, rendit dhe ligjit dhe politikës së jashtme. Si VV ashtu edhe LDK u pajtuan që numri i ministrive të jetë 12, dhe për çdo ministri të jenë nga dy zëvendësministra.

Harmonizimi i programit qeverisës për zhvillimin ekonomik , ishte tema e diskutimit në takimin e tretë që u mbajt me 28 tetor mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.Takimi zgjati afro 3 orë dhe u mbajt në selinë e LDK-së. U tha se dy grupet janë dakorduar rreth 90 për qind për programin ekonomik. Siç u dakorduan edhe për vendtakimet e tyre.

Pas takimit të tretë që u mbajt në selinë e LDK-së, i katërti u mbajt në Vetëvendosje me 31 tetor. Nga LDK po merrni pjesë Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Arben Gashi e Armend Zemaj ndërsa nga “nikoqirët” të pranishëm ishin Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Sami Kurteshi e Blerim Sallahu. Tema e diskutimit ishte sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit. Pas takimit nga të dyja partitë tha se ka pajtueshmëri sa i përket çështjes së drejtësisë.

Temë diskutimi në takimin e pestë që u mbajt me 4 nëntor ishte çështja e arsimit, shkencës dhe kulturës. Në takimin morën pjesë, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku, Xhavit Rexhaj dhe Izet Sadiku nga LDK, ndërsa nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Arben Vitia, Abërie Nagavci edhe Jusuf Ulaj. Ky takim madje rezultoi si më i suksesshmi, ishte takimi që pati më së shumti pajtueshmëri. Kështu deklaruan nga Vetëvendosje pas takimit. Madje u shprehën se ky takim është zhvilluar në një atmosferë të thellë të bashkëpunimit.

E takimi i fundit apo i gjashti i mbajtur me 7 nëntor mes grupeve punues të Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës pati qëllim përmbylljen e të gjitha çështjeve programore, dhe se në mënyrë të draftuar marrëveshja do të iu dorëzohet dy kryetarëve të partive Albin Kurtit e Isa Mustafës.

Pasi përfunduan takimet mes grupeve punuese të të dyjave partive, me 22 nëntor ditë e premte, u mbajte edhe një takim mes kryetarëve të partive. Përkundër që takimet mes grupeve punuese mbaheshin nëpër seli të partive, takimi i dy kryetarëve u mbajt në njërin nga hotelet në Prishtinë. Takimi zgjati 1 orë. Kurti e Mustafa para mediave deklaruar se në takim kanë biseduar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, teksa shtuan se marrëveshja mes dy partive do të arrihet pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Insajderi.com