Demaliaj i kundërpërgjigjet Latifit: Nëse neve na ka tranu pushteti, ata i kanë lëshu nervat

Demaliaj i kundërpërgjigjet Latifit: Nëse neve na ka tranu pushteti, ata i kanë lëshu nervat

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, i është përgjigjur deklaratave të këshilltarit të Kadri Veselit, Blerim Latifit se “disa në AAK ka fillu me i tranu pushteti“.

Në një prononcim për Insajderin, Demaliaj ka thënë se nëse AAK-në ka filluar ta “tranojë” pushteti, atëherë PDK-në kanë filluar ta lëshojnë nervat.

“Nëse neve ka fillu me na tranu pushteti, atëherë ata kanë fillu me i lëshu nervat se janë kaherë në pushtet. Kanë fillu me i lëshu nervat edhe e kanë pa qysh punohet”, ka thënë Demaliaj.

Latifi e ‘sulmoi’ deputetin e AAK-së për deklaratat këtij të fundit para disa ditësh se do t’i punësonte të gjithë të AAK-së nëse do të kishte mundësi ligjore.

“Tjetri çohet, e pa ju dridhë çerpiku, thotë se qytetarët me librezë të AAK-së janë më rëndësishëm se qytetarët me përkatësi tjetër partiake. Që do të thotë se fisi dhe klientela partiake nuk pyesin për ligj e barazi para ligjit”, shkroi Latifi, duke iu referuar deklaratave të Demaliajt.

E për këtë Demaliaj ka thënë se sikurse Latifi, çdo individ e subjekt politik kanë të drejtë të reagojnë. Por deklaratën e vet ai e cilëson si të drejtë dhe të keqkuptuar.

“Eshtë e drejtë e çdo subjekti politik, individi e këshilltari për me folë në tretmanin me mediat, por edhe ana ime deklarative ka qenë në kushte të barabarta ligjore. Përderisa po bëhet vetëm titulli lajm, e nuk po shohin në brendi, kanë të drejtë me reagu. Mirëpo gjithçka çfarë kam deklaru, kam deklaru anën ligjore dhe në kushte të barabarta me të tjerët. Për te punësimet nuk do të flas më”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Këshilltari i Veselit, Blerim Latifi, ka ‘sulmuar’ edhe deputetin tjetër të AAK-së, Bekë Berishën, si dhe ministrin e Infrastrukturës nga kjo parti, Pal Lekajn. Latifi i ka thënë kryeministrit Ramush Haradinaj se Berisha, Demaliaj e Lekaj po ia marrin fytyrën gjithë Kosovës. /Insajderi.com