
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi e ka quajtur të turpshëm vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e ka dënuar kompaninën e tij, “EkosGroup” me 1 milion e 300 mijë euro për privatizimin e kompanisë “Famipa” në Prizren.
Kelmendi tha për Insajderin se vendimi i AKP-së ka qenë i njëanshëm dhe lidhet me përkatësinë e tij politike.
“Ky vendim është turp për një agjenci kosovare me, dënu dikënd që i ka kry të gjitha obligimet. AKP nuk i ka marrë fare parasysh dokumentet se janë kry obligimet vetëm për shkak të përkatësisë sime politike. S`ka tjetër përveç përkatësisë sime politikë që të dënohem nga AKP “, tha Kelmendi.
Sipas vendimit të AKP-së, kompania e Kelmendit “Elkos Group” nuk e ka përmbushur kontratën e privatizimit të kompanisë “Famipa” në Prizren.
Mirëpo këtë e ka kundërshtuar deputeti Kelmendi i cili tha për Gazetën Insajderi se para tri vjetëve e ka përmbushur obligimin që ka dal nga kontrata e privatizimit.
“Po tri vjet kanë kalu që ka përfundu obligimi kontraktual. E kam edhe raportin e auditorit janë faktet, dokumentet që e kam përmbush obligimin që kam pasur”.
“Kanë qenë tri kritere që është dashur të plotësohen: Mos me i lëvizë makinat, si kam lëvizë ato 2. Me i pas të punësuar që e kam plotësu edhe këtë kriter e kam listën e punëtorëve që kanë marrë rroga, kanë qenë në punë aq sa ka pas punë kriteri tjetër që nuk ka thënë me punu, ne kemi punu aq sa kemi pas punë, ne nuk mundemi me punu ma shumë sesa që kemi shitje. Ekonomi private është kjo, edhe prej krejt kritereve nëse nuk është plotësu naj njana ka qenë nashta 30% ama jo 100% që s`janë plotësu”, tha Kelmendi për Insajderin.
Kelmendi tha se nuk pajtohet me këtë vendim prandaj edhe do të ankohet.
“Do të ankohem në instancat tjera lidhur me këtë vendim. E bie vendimin sipas dëshirës ndaj njerëzve që janë jashtë ligjeve kriminale politiko-ekonomike”, tha ai.
Deputeti Kelmendi në vitin 2011 bleu nga Agjencia Kosovare e Privatizimit Fabrikën “Famipa” në Prizren, një prej ndërmarrjeve më të njohura në kohën e ish-Jugosllavisë, shkruan Insajderi.
Fabrika “Famipa”, në Prizren kaloi në duart e Kelmendit, tregtarit të fuqishëm që zotëron edhe ETC-në, zingjirin e madh të marketeve që shtrihet anëmbanë Kosovës dhe në rajon, përkatësisht në Shqipëri e Mal të Zi.
AKP-ja, bazuar në kontratat e privatizimit, ruan të drejtën që të ndëshkojë blerësin financiarisht nëse gjatë këtyre tre vjetëve nuk arrin të përmbushë kontratën. /Insajderi.com
AKP dënon me 1 milion e 300 mijë euro kompaninë e deputetit Ramiz Kelmendi