Drejtori i ri i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, heziton ta publikojë programin

Drejtori i ri i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, heziton ta publikojë programin

Garën për drejtor të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës e ka fituar Valbon Krasniqi, por edhe pas përfundimit të fazës testuese ai ende nuk ka prezantuar një program me prioritetet e tij për SHSKUK-në.

Krasniqi akoma s’ka bërë të ditur se cilat janë planet e tij për të ardhmen.

Pati thënë se ato çfarë ka si objektiva do t’i prezantojë para komisionit intervistues, vetëm pasi të përfundojë faza e testimit.

“Meqenëse ende është duke u zhvilluar gara, në këtë fazë nuk do të kisha dashur të prononcohem”, kishte pohuar ai në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

“Jemi në proces ende dhe programin/objektivat do t’i paraqes para komisionit intervistues”.

Megjithatë, as pas zgjedhjes së tij drejtor, Krasniqi nuk ka shpalosur asgjë nga programi.

Ndryshe nga ai, drejtori i Qendrës Emergjente të QKUK-së, Basri Lenjani, i vetmi kundërkandidat i Krasniqit në garën dyditore për marrjen e postit të të parit të ShSKUK-së, nuk e ka hezituar ta bëjë publik programin e tij zhvillimor të ShSKUK-së, për redaksinë e Insajderit.

Në këtë plan të hartuar për vitet 2021-2025, Lenjani ne fokus kishte përmirësimin e shërbimeve.

Një ndër pikat e këtij plani ishte edhe modernizimi i Klinikave të ShSKUK-së dhe spitaleve regjionale, për çka Lenjani shkruan se “ka nevojë për ngritje të kapaciteteve, ngritje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, krijim të spitaleve speciale, standardet mjekësore, avansim dhe fuqizim të diagnostikës laboratorike dhe diagnostike dhe modernizim dhe avansim të Klinikave të SHSKUK-së si dhe spitaleve rajonale të specifikuar me patologji të veçanta”.

Para dy ditësh është mbajtur testi me shkrim për kandidatët për drejtor të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.

Nga katër kandidatët: Saudin Maliqi, Gani Halilaj, Valbon Krasniqi dhe Basri Lenjani, kanë marrë pjesë vetëm këta dy të fundit.

Krasniqi në vlerësimin e komisionit ka marrë 34 pikë nga testi me shkrim dhe tetë në CV, kurse Lenjani 19 në testim me shkrim dhe 10 në CV.

Ndërsa dje, më 4 shkurt është mbajtur intervistimi i kandidatëve, ku Krasniqi arriti të marrë 49.2 pikë, ndërsa Lenjani 46.6.

Ndryshe, në qershor të vitit të kaluar, Valbon Krasniqi është caktuar ushtrues detyre i drejtorit të ShSKUK-së, meqë Bordi Drejtues i këtij Shërbimi kishte shkarkuar nga detyra e drejtorit të përgjithshëm, Basri Sejdiun.

Madje, në një njoftim të SHSKUK-së u tha se shkarkimi i Sejdiut erdhi si pasojë e përformancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave të punës.

Konkursi ku fitues doli Krasniqi u përcoll me akuza për politizim dhe jo transparencë, meqë rikthimi në garë për drejtor i Valbon Krasniqit, kishte bërë që tre kandidatët e tjerë Saudin Maliqi, Driton Ukmata dhe Gani Halilaj, të largoheshin nga kjo garë, pasi që sipas tyre ky konkurs ishte i politizuar.

Krasniqi fillimisht ishte eliminuar për mungesë të plotësimit të kritereve sa i përket përvojës menaxheriale, por më pas u lejua përsëri të kandidojë, përfundimisht duke e fituar pozitën e drejtorit. /Insajderi.com

 

Programi i plotë i Basri Lenjanit