
Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës janë arrestuar brenda 48 orëve nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë. Këto arrestime janë bërë pas raportimeve të Insajderit se deklaratat e tyre përbëjnë kërcënime të pastërta për prokurorët.
I pari i arrestuar, është deputeti Milaim Zeka. Ai është arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës teksa të enjtën i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Insajderi kishte publikuar hulumtimin për biznesnin e Zekës me viza, duke mashtruar rreth 900 qytetarë të Kosovës. Zeka me 24 shtator në një paraqitje televizive në T7 kishte dhënë deklarata kërcënuese ndaj prokurorit që po e ndjek çështjen e tij.
“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, kishte thënë Zeka.
Insajderi kishte gjetur se kjo deklaratë e tij është një kërcënim direkt ndaj prokurorit dhe ka qenë i pari që ka publikuar këtë deklaratë si kërcënim.
Njejtë kishte vepruar edhe me deklaratën e deputetit të AAK-së, Shkubim Demalijaj, i cili në një intervistë për televizionin publik, kishte lëshuar deklarata kërcënuese ndaj prokurorit Elez Blakaj, i cili u dorëhoq pas ngritjes së aktakuzës për veteranët e rrejshëm.
“Ofendimi i familjes sime është bërë nga një kriminel që është zgjedhur nga Prokuroria Speciale. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç. Ai nëse babën tim e ka akuzua, babën e vet e ka kudër. Ai është biri kudrës, biri babës vet”, kishte thënë Demaliaj.
Demaliaj të njëjtat deklarata i kishte mbrojtur edhe një ditë më vonë duke thënë se nuk është pishman për fyerjet ndaj prokurorit, dhe e kërkon kthimin e Blakajt në Kosovë për zgjidhur hesapet më të privatisht.
“Jo unë nuk i bie pishman asnjëherë për fjalët që i them. Kam thënë atëherë do të them edhe tash. Nëse shteti nuk merret me Blakajn, unë personalisht do të merrem me të”, kishte thënë Demaliaj në emisionin Frontal të T7.
Insajderi kishte publikuar artikuj ku cilësonte si kërcënime direkte të deputetit të AAK-së dhe ish anëtari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së.
Në një pronocim për televizionin T7, drejtori ekzekutiv i Insajderit, Parim Olluri, e ka cilësuar këtë deklaratë si kërcënim të pastër dhe kërkoi arrestimin e tij.
Demalijaj u arrestua sot, pikërisht për shkak të deklaratave të tij. Ai është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë ngë Policia e Kosovës./Insajderi.com