Milaim Zeka kërcënon prokurorin Afrim Shefkiu

Milaim Zeka kërcënon prokurorin Afrim Shefkiu

Deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka ka kërcënuar Prokurorin Special, Afrim Shefkiu duke thënë se do ta ndjekë atë me gjyq, kanun e privatisht.

Zeka ka akuzuar prokurorin Shefiku se i njëjti sipas tij ua ka shkatërruar ëndrrat e njerëzve.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka në emisionin DPT te Fidani në T7.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë hiç më pak se 345 mijë e 700 euro.

Zeka po e akuzohet nga shteti për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë një aktakuzë prej 58 faqesh. Ka renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit. Ka propozuar fiks 907 dëshmitar kundër tij. Zeka akuzohet se me anë të mashtrimit përfitoi 345 mijë e 700 euro së bashku me Ilir Krasniqin. 145 mijë euro akuzohet se i ka pastruar në bashkëpunim me biznesmenin, Edmond Kërliu. Akuzohet po ashtu se shtetit nuk ia ka paguar 141 mijë e 173 euro. Insajderi sjell të plotë aktakuzën kundër tij.

Insajderi ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale, kundër Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe Edmond Kërliut, të cilët akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Në aktakuzë janë renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit, të cilët janë propozuar si dëshmitarë.

Me anë të provave materiale dhe dëshmitarëve, Prokuroria po pretendon ta dërgojë në burg Zekën, për një kohë të gjatë. /Insajderi.com

Aktakuza, 907 dëshmitarë kundër Milaim Zekës

Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani