E turpshme: Militanti i Thaçit para një muaji tallej me grevën, sot bëhet kryegrevist

E turpshme: Militanti i Thaçit para një muaji tallej me grevën, sot bëhet kryegrevist

Udhëheqësi i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, i cili është militant i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tallej me grevën që e paralajmëronte Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) një muaj më parë, derisa tani si kryegrevist i është bashkëngjitur grevave të mësimdhënësve e kirurgëve.

Sefaj, në një postim në rrjetin social Facebook në fund të vitit të kaluar, ishte tallur me kryetarin e ABASHK-ut, Rrahman Jashari. Kishte thënë se qeveria “duhet t’ia rregullojë dhëmbët kryetarit të SBASHK-ut”.

“Qeveria urgjentisht te ndaj fond, për të ia rregulluar dhembet kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jasharit. Ose grevat do vazhdojnë deri në shtatorë”, kishte thënë Sefaj, në një postim të shkruar në Facebook më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Insajderi ka raportuar sot se përfshirja në grevë e shërbyesve civil, të përfaqësuar nga Ali Sefaj, është dëshmi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është përfshirë si orkestrues i grevës.

Sefaj, një njeri i afërt i presidentit Thaçi, ishte shpërblyer në mënyrë të dyshimtë nga Thaçi – në kohën kur ai shërbente si kryeministër i vendit – në vitin 2009, kur me vendim të tij ishte emëruar kryesues i Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”. Insajderi ka siguruar vendimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, përmes së cilit kishte nënshkruar për emërimin e Ali Sefajt si kryesues të Bordit të Ujitjes “Drini i Bardhë”.

“Në Bordin e Ndërmarrjes Publike, Kompania e Ujitjes ‘Drini i Bardhë’ emërohen këta kandidatë: 1. Ali Sefaj – kryesues, 2. Fadil Kabashi, 3. Beqir Metaj, 4. Shkodran Gaxherri”, thuhej në vendimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës më 23 prill të vitit 2009, të nënshkruar nga kryeministër Hashim Thaçi.

Paraprakisht, asokohe kryeministri Thaçi kishte anuluar vendimet për emërimin e anëtarëve të Bordit të kësaj Ndërmarrjeje Publike, të zgjedhur në muajin prill të vitit 2008. Një vit më vonë, përmes ndryshim-vendimit për anëtarët e Bordit të Kompanisë së Ujitjes “Drini i Bardhë”, ai kishte emëruar Ali Sefajn në pozitën e kryesuesit të Bordit të Ndërmarrjes. /Insajderi.com

Dëshmia që tregon se Thaçi është prapa grevave të orkestruara