Pa asnjë përgjigje konkrete në secilën pyetje direkte të bërë ndaj tij, sekseri më i njohur në Kosovë, Dardan Gashi që arriti pa asnjë votë të marrë dy pozita në Qeverinë e Ramush Haradinaj, ka tentuar që të paraqesë vetën si një person që ka punuar gjatë tërë jetës për të mirën e Kosovës.
Ani pse i gjithë shtegtimi i Dardanit Gashit përreth partive politike përfshin Listën Rugova, AAK-në, PDK-në, AKR-në duke u rikthyer sërish afër AAK-së, të cilën bashkë me shokë e kishin tradhtuar më 2011 për të përfunduar si sekser i Ramush Haradinajt në procesin e themelimit të Qeverisë, Gashi në Rubikon të KTV-së ka thënë se ndihet i fyer me termin “sekser” të cilin përmes fakteve ia ka lënë gazeta Insajderi.
“Këtu njerëzit etiketohen si kriminel e edhe sekserë. Kjo është bërë prej portaleve që janë të porsaformuara dhe duan të bëjnë klikime. Por nuk më pengon kjo punë”, ka thënë sekseri Gashi në Rubikon.
Ai në të njëjtën kohë nuk e ka mohuar që ka vrapuar ditë e natë për të siguruar votën e deputetes Teuta Rugova dhe më pas negociatat me partinë të cilën dikur e kishte braktisur.
“Nuk ka pasur asgjë të fshehur dhe është diskutuar pikërisht kjo që të zhbllokohet situata. Është provu që të ketë ndikim në LDK dhe të hapet për negociata me të mandatarin Ramush Haradinaj”, ka thënë Gashi.
Shtegtimi i Dardanit Gashit përreth partive politike përfshin Listën Rugova, AAK-në, PDK-në, AKR-në. Është rikthyer sërish afër AAK-së, të cilën bashkë me shokë e kishin tradhtuar më 2011.http://www.insajderi.com/rrugetimi-sekserit-gashi-drejt-dy-posteve-qeveritare/
Posted by Insajderi on Tuesday, 12 September 2017
“Ai që e merr guximin dhe lirinë të ofendojë. Ai është ofendim nuk është shpjegim të situatës. Ai që thotë ashtu as nuk më ka thirrur fare për të pyetur se çfarë roli kam dhe pse. Inatet coftë për shkak të orientimit politik ose incident privat ose diçka, nuk guxon që të shprehet përmes një mediumi të vogël që e krijon e të krijojë atmosferë. Unë s’kam inat, as nuk e di nga vjen por po them mund të jetë . E shoh vetën ndërmjetësues të situatave dhe nuk është hera e parë që kam ndihmuar në këto situata. Atëherë nuk kam qenë sekser”, ka shtuar ai.
Më pas ka dhënë një premtim qesharak.
“Ata që kanë dilema le të hyjnë në Wikipedia, ta shohin biografinë. Nëse i afrohem asaj biografie, deri diku, të gjithë ata që më quajnë sekser, jam i gatshëm që të jap dorëheqje nesër prej të gjitha funksioneve që i kam”, ka thënë Gashi. /Insajderi.com