Gjaku i derdhur dhe bishti i djegur – Çfarë mesazhi përçoi Kurti sot në videon katër minutëshe

Gjaku i derdhur dhe bishti i djegur – Çfarë mesazhi përçoi Kurti sot në videon katër minutëshe

Shpallja e Mitrovicës veriore dhe Zveqanit si zonë e karantinuar si shkak i rasteve të paraqitura me persona të prekur nga koronavirus, nxiti reagime të shumta në vend. Pozitë e opozitë, reaguan në lidhje me shtrirjen e kompetencave të Republikës së Kosovës andej urës së Ibrit. Një reagim e bëri edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Insajderi.

Kurti kohëve të fundit, në diskursin e tij politik e ka futur edhe fjalën “gjak” e “gjakderdhje”. Ai mesditën e sotme përmes një video-mesazhi, dha mesazhe të forta në drejtim të opozitës e kundërshtarit politik, Presidentit Hashim Thaçi.

Në videon katër minutëshe, Kurti deklaroi se ata që duan të shkaktojnë trazira e konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit, janë nga taborri serb e ai kosovar.

“Ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo, ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente, Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer të shkëmbimi territorial përkatësisht te ndarja e Kosovës”, deklaroi Kryeministri në detyrë.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje shqiptarëve, serbëve e pakicave tjera në Kosovës se duhet pasur kujdes të mos bien pre e kurtheve që atyre që “për t’i zbrazur shampanjat, duan të derdhin gjakun tonë”.

Kurti nuk harroi t’i dërgojë selame edhe Presidentit të vendit, Hashim Thaçit. Për të, tha se po sillet si proverba shqipe me dhelprën dhe bishtin e saj të djegur.

“E dini atë thënien e urtë të popullit tonë, se kur dhelprës po i digjet bishti, ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpa po e tund bishtin e djegur që të na e djeg gjithë vendin tonë”, ishin fjalët e Kurtit./Insajderi.com/