Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se do të ngrisë kallëzim penal ndaj kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, nëse nuk i ndalë punimet në pronën “Hotel Vicianum” kompania së cilës MD-ja ia ka ndërprerë kontratën për shkak se “ishte lidhur me shkelje të rënda ligjore”, njofton Insajderi.
Në llogarinë e saj në Facebook, Haxhiu përveç reagimit ndaj Tahirit, ka bashkëngjitur një dokument, në të cilin njoftohet për ndërprerje të kontratës për kompaninë në fjalë.
“Kur një kryetar Komune, vendimin për mbrojtjen e pronës publike e quan ‘problem të krijuar’…çka me thënë tjetër! z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale!”, ka shkruar ajo.
Ndërkaq, Tahiri pretendon se ministrja Haxhiu edhe në mandatin e parë edhe tani ka refuzuar të ia kthejë pronën komunës.
“Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve”, ka deklaruar i pari i Vushtrrisë./Insajderi.com