Tregtari nga Skenderaj, Rrustem Rukolli, aktualisht ka dy baza të prodhimit të betonit në Skenderaj dhe Fushë Kosovë. Tash, ai po synon ngritjen e një tjetër fabrike për prodhimin e betonit në fshatin Milloshevë. Por, toka që ai posedon është shfaqur pengesë kryesore për shtrirjen e biznesit të tij në Komunën e Obiliqit
Rrustem Rukolli po bën përpjekje të zgjerojë kufijtë gjeografik të biznesit të tij.
Biznesmeni nga Rezalla e Skenderajt, pronar i kompanisë private N.N. “R&Rukolli”, është i shtrirë tashmë në katër komuna të Kosovës: Skenderaj, Vushtrri, Fushë Kosovë dhe Drenas.
Planet e Rrustem Rukollit për zgjerim në biznes përfshijnë edhe Komunën e Obiliqit.
Tregtari 49-vjeçar, i cili merret kryesisht me ndërtim, ka dy baza të prodhimit të betonit në Skenderaj dhe Fushë Kosovë.
Tash, ai po synon ngritjen e një tjetër fabrike për prodhimin e betonit në fshatin Milloshevë të Obiliqit. Atje, Rukolli posedon një pronë me sipërfaqe prej 19 ari tokë.
Mirëpo, kjo parcelë toke që ndodhet në vendin e quajtur “Nijve Kod Groblja”, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, është shfaqur pengesë kryesore për shtrirjen e ndikimit biznesor të tij në Komunën e Obiliqit.
Toka në fjalë është e destinuar për qëllime bujqësore.
Për këtë arsye, biznesmeni i afërt me Sami Lushtakun, ka nisur një betejë të gjatë me institucionet lokale me qëllim ndërrimin e destinimit të tokës dhe marrjes së lejes ndërtimore.
Procesi, përveç Komunës së Obiliqit, ka implikuar edhe dy institucione të tjera: Ministrinë e Bujqësisë dhe Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.
Ministria e Bujqësisë ka konstatuar se toka të cilën e posedon Rukolli në Milloshevë, jo vetëm se është e destinuar për qëllime bujqësore, por ka thënë se e njëjta ndodhet në sistemin e ujitjes së Sh.a “Ibër-Lepenc”.
Në një përgjigje që Ministria i ka kthyer Komunës më 13 mars të vitit të kaluar, ka nënvizuar se tokave bujqësore që ndodhen në sistemin e ujitjes nuk mund t’u ndërrohet destinimi, “përveç ngritjes së objekteve me rëndësi të veçantë publike”.
“Neni 15 i Ligjit për Tokat Bujqësore thotë se: Tokës bujqësore në sistemin e ujitjes nuk mund t’i ndërrohet destinimi i shfrytëzimit përveç ngritjes së objekteve me rëndësi të veçantë publike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar Komunës së Obiliqit.
Ministria po ashtu rekomandon Komunën e Obiliqit se ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore duhet të jetë në dakordim me planin e rregullimit hapësinor të komunës.
“Neni 11 paragrafi 11. i Ligjit për Tokën Bujqësore thotë se ndërrimi i destinimit të tokës bujqësore mund të bëhet vetëm në pajtim me Planin Zhvillimor Komunal dhe dispozitat tjera të përcaktuara me Ligj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Edhe Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” ka konfirmuar se toka e Rrustem Rukollit ndodhet në sistemin e ujitjes së ndërmarrjes.
Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga Rrustem Rukolli lidhur me synimet e tij për zgjerimin e biznesin privat në Komunën e Obiliqit, por tregtari nga Skenderaj nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
Dy tentimet e Rukollit për të bindur Kuvendin Komunal
Pavarësisht prej pengesave, si dhe përfshirjeve të Ministrisë e “Ibër Lepenc”-it, Rukolli po vazhdon përpjekjet për ndërrimin e destinimit të tokës.
Përgjatë 13 muajve të fundit, pronari i firmës N.N. “R&Rukolli” i është drejtuar dy herë Kuvendit Komunal të Obiliqit, si i vetmi organ që mban kompetencat për marrjen e vendimit për ndërrimin e destinimit të tokave bujqësore.
Tentimi i parë i tij, në shkurt të vitit 2019, ishte hedhur poshtë nga Komiteti për Politikë dhe Financa i Kuvendit Komunal. Rrjedhimisht nuk ishte shqyrtuar në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal disa ditë më vonë.
Por, Rukolli është rikthyer sërish me të njëjtën kërkesë për Kuvendin Komunal të Obiliqit 13 muaj më vonë – në janar të vitit 2020.
“[…] kemi marrë përgjigje nga institucionet e “Ibër Lepenc” sh.a. dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – MBPZHR, i drejtohem organeve gjegjëse për kthim të destinimit të tokës bujqësore në atë ndërtimore”, thuhet në kërkesën që ai ka paraqitur pranë zyrës së Burim Gërgurit, kryesuesit të Kuvendit.
Sërish kërkesa e biznesmenit nga Skenderaj nuk është vendosur në rendin e ditës së seancës së Kuvendit Komunal nga Komiteti për Politikë dhe Financa.
Ky komitet, në mbledhjen e mbajtur më 24 shkurt të këtij viti, vendosi që rasti i Rukollit të dërgohej për trajtim në Drejtorinë Komunale të Urbanizmit.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet sërish në të njëjtin komitet, para se të vendoset nëse ajo do të hidhet në votim në Kuvend.
Përfitimet nga tenderët dhe afërsia me Lushtakun
Kompania e Rrustem Rukollit ka përfituar mbi pesë milionë euro nga prokurimet publike në Komunën e Skenderajt përgjatë viteve 2008-2017, kur komunën e udhëhiqte miku i tij, Sami Lushtaku.
Një nga projektet më të shtrenjta që N.N. “R&Rukolli” ka përfituar nga Komuna e Skenderajt gjatë udhëheqjes së Sami Lushtakut është ai për ndërtimin e gjimnazit ”Hamëz Jashari”.
Kjo kontratë, e fituar nga N.N “R&Rukolli” në qershorin e vitit 2013, peshon 1 milion e 895 mijë euro.
Disa vite më parë, në maj të vitit 2009, kompania e Rrustem Rukollit kishte fituar një tjetër kontratë milionëshe nga Komuna e Skenderajt.
Kontrata mes palëve –kompanisë së Rukollit dhe Skënderajt për fazën e parë të rregullimit të shtratit te lumit “Klina” që përshkon këtë komunë, peshonte mbi 1 milion e 798 mijë euro.
Miqësia mes Rukollit dhe Lushtakut ka nisur në fëmijërinë e tyre, u kishte thënë vet biznesmeni nga Rezalla, prokurorëve të EULEX-it, në një deklaratë të dhënë më 14 shtator të vitit 2016.
Në këtë deklaratë, e cila ishte përfshirë në aktakuzën që ngarkonte Sami Lushtakun për arratisjen nga QKUK-ja, Rukolli kishte thënë se ai nga fillimi ishte koordinator i avokatëve mbrojtës të ish-kryetarit të Skenderajt.
Kompania N.N. “R&Rukolli”, përpos dy bazave të prodhimit të betonit në Skenderaj dhe Fushë Kosovë, ka në pronësi edhe një gurëthyes në fshatin Pasomë të Vushtrrisë.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), Rrustem Rukolli figuron të jetë bashkëpronar i terminalit doganor në Han të Elezit, “Terminali Sh.p.k..
Gjithashtu, Rrustem Rukolli, është edhe pronar i lokalit “Bab Club” në Prishtinë, sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve. /Insajderi.com