Kosovarët po i refuzojnë produktet serbe – edhe pas heqjes së taksës

Një kulturë e re blerëse

Taksa 100% është larguar, por përkundër kësaj blerësit kosovarë 100% më pak po blejnë produkte serbe. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por sociologu Labinot Kunushevci thotë se një nga to, mund të jetë edhe krijimi i një kulture të re konsumatore ku refuzohen vullnetshëm produktet e Serbisë.

Kosovarët po i refuzojnë produktet serbe – edhe pas heqjes së taksës

Ishte parë domosdoshmëri nga Qeveria e Ramush Haradinajt taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë, një bllokadë tregtare që synonte të përmirësonte pozicionin e Kosovës në raport me Serbinë.

Efekti i synuar i taksës – qoftë ai ekonomik apo politik – është kontestuar nëse është i realizuar apo jo.

Por ajo që shihet në statistikat që Gazeta Online Insajderi i ka siguruar nga Dogana e Kosovës – taksa megjithatë ka pasur një efekt të pamohueshëm në krijimin e një kulture të re konsumatore në raport me produktet e Serbisë.

Për të dëshmuar statistikisht këtë pretendime se taksa ka rezultuar në një kulturë të re blerëse mund të shihen të dhënat nga Dogana e Kosovës.

Si referencë janë tri vjet; viti 2018 nga 1 prill deri më 6 korrik ( periudha kur nuk kishte taksë ) viti 2019 nga 1 prill deri më 6 korrik ( periudha ku kishte taksë ) dhe viti 2020 nga 1 prill deri më 6 korrik (periudha kur taksa largohet).

Pikërisht më 21 mars të vitit 2020, Qeveria Kurti vendosi për largimin e taksës për lëndën e parë importuese nga Serbia, ndërsa pak javë vonë ishte vendosur parimi i reciprocitetit ( i cili nuk ka ndikuar në bllokadë tregtare), ndërsa më 6 qershor përfundimisht ishim kthyer në pikën ku ishim, para vendosjes së takes – liri e plotë tregtare sikur në vitin 2018.

Në vitin 2018 periudha tre mujore e importeve serbe në total është 120.160.255.57 euro, në vitin 2019 vjen rënie drastike ku të hyrat totale nga Serbia janë vetëm 1.562.777.06 euro, ndërsa në vitin 2020 kemi të hyra tre mujore 54.862.675.86.

Dallimi në mes vitit 2018 (kur nuk kishte taksë ) dhe në vitit 2020 (ku nuk kishte taksë pasi ishte hequr ajo) është mbi 65 milionë euro.

Pra, përkundër faktit se më nuk ka barrierë tregtare për produktet serbe dhe ato mund të futen lirisht në Kosovë – prapë, këto produktet nuk po blihen sikur në të kaluarën.

Kjo tregon se qytetarët e Kosovës tashmë i kanë zëvendësuar ato produkte me të tjera, qoftë prodhime vendore, qoftë prodhime që vijnë nga shtete të tjera.

Se ka ndodhur ky zëvendësim tregojnë edhe disa të dhënë nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

Në një anketë të viti 2019, kur ishin pyetur bizneset kosovare se tash pas takës nga cili vend po furnizoheni? Ata kishin treguar se importimi është zëvendësuar 40 për qind nga vende të Bashkimit Evropian, 20 për qind nga Turqia, 15 për qind nga Shqipëria e Maqedonia dhe një përqindje tjetër nga vende të Azisë.

No description available.

Pas heqjes së taksës, siç tregojnë edhe të dhënat, ka rritje të importit serb, megjithatë, dukshëm më e vogël se sa në periudhën kur s’kishte taksë fare.

As tash nuk ka, por shifrat më nuk po kthehen ashtu siç ishin.

Statistikisht mund të vërehet qartë diferenca tre mujore në mes vitit 2018 dhe 2020, tregues se të hyrat totale nga importet serbe janë më shumë se 100% ulje.

Për arsyet për këtë refuzim të vullnetshëm të produkteve serbe tash, ka edhe një shpjegim kulturor.

Sociologu, Labinot Kunushevci, për Insajderi.com ka sqaruar fenomenin kur vendimet politike konsistojnë në një kulturë konsumatore.

Kunushevci reflektimin blerës karshi një produkti si rezultat i një vendimi politik e sheh edhe si rritje graduale e besimit të shoqërisë ndaj institucioneve – sipas tij, kjo përbën tregues pozitiv.

“Nëse institucionet kulturore zhveshën nga patriotizmi simbolik dhe ceremonial, folk-patriotizmi, dhe e orientojnë dhe prezantojnë atë – patriotizmin – si formë e cila shprehet përmes vetëdijes qytetare dhe refuzimit të produkteve serbe, atëherë kjo tregon shenjë emancipimi. Shoqëritë e zhvilluara, edhe sipas hulumtimeve të kryera, më së shumti u besojnë institucioneve. Ndikimi në rënien e blerjes dhe konsumit të produktit serb pas vendosjes së taksës është tregues pozitiv i besimit gradual të qytetarëve në institucione”, ka thënë Kunushevc.

Transformimi i mendësisë ndaj produkteve të Serbisë ka ndikuar në mënyrë enorme që të blihen shumë më pak produkte luksi nga Serbia

Nëse krahasojmë tre mujorin ( prill-korrik) të vitit 2018 dhe tre mujorin e vitit 2020 po të këtyre muajve, atëherë shohim se të hyrat nga akciza kanë rënie nga 13.111.700.10 euro në 727.742.86 euro.

Edhe pse, në këtë rast, përpos kulturës blerëse në raport me produktet serbe, faktor mund të jetë edhe pandemia pasi produktet e akcizës kanë një çmim më të lartë – çmimet e larta në kohë regresi ekonomik janë të papërballueshme.

Por, siç thotë edhe sociologu, dallimi kaq drastik tregon në të vërtet për një kulturë tjetër nga ajo që ekzistonte para vendosjes së taksës.

Vendimi politik mbase edhe nuk ishte planifikuar që të kishte efekte të thella ekonomike, por ai si i tillë krijoi realitet të ri. /Insajderi.com/