I akuzuari në rastin Pronto, jep dorëheqje nga PDK

I akuzuari në rastin Pronto, jep dorëheqje nga PDK

Ish-deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj përmes një letre publike e ka njoftuar kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli se është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Kohet e fundit thellësisht jam i zhgënjyer me proceset politike brenda PDK-së , e në veçanti në degën e Malishevës me kuadrat e vjetra të cilat kanë degraduar vlerat politike të PDK-së qe kanë punuar vetëm për interesa personale familjare dhe klanore duke e dëmtuar imazhin e PDK-së qe nga kuvendi i parafundit me 2014 e deri më sot”, thotë mes tjerash Shurdhaj.

Shurdhaj përveç pozitës së deputetit, nga PDK ishte i emëruar edhe zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për Fatmir Shurdhaj pas përgjimeve në rastin “Dosja e Shefave”.

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave për rastin e 11 të akuzuarve për rastin “Pronto”.

Sipas gjykatës kërkesat e palës mbrojtëse ishin të pabazuar, prandaj rasti kishte shkuar në gjykim.

Fatmir Shurdhaj dhe disa të tjerë akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë që në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes nga neni 31 i KPRK-së kishin kryer veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, në tentative, thuhej në njoftimin e gjykatës./Insajderi/