Inatet personale të politikanëve, Haradinaj tregon pse nuk u takua me Edi Ramën gjatë tërmetit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar pse nuk është takuar me homologun e tij të Shqipërisë, Edi Rama pas tërmetit i cili ka të vdekur 51 persona.

Haradinaj në një emision në Klan Kosova ka thënë se ka provuar të kontaktojë me Ramën por s’ka arritur të takohet me të.

Derisa gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Haradinaj është parë nën shoqërinë e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Kam provuar të kontaktoj me Ramën por s’kam arritur të takohem me të. Me Metën kam komunikim të vazhdueshëm, në këto momente nuk vlejnë ato që kemi në tema tjera. Kam qenë dhe do të mbetem gjithë jetën kundër ndarjes së Kosovës, por kjo ka qenë një situatë tjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ndonëse tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit, i bëri bashkë gjithë shqiptarët por jo edhe dyshet politike – Hashim Thaçi-Edi Rama vs Ramush Haradinaj-Ilir Meta.

Në vend se paraditen e së martës të komunikonte me homologun e tij shqiptar, Ilir Metën, Thaçi vendosi të fliste me mikun e tij, Edi Ramën.

Në anën tjetër dy kundërshtarët e “shkëmbimit të territoreve”, Ramush Haradinaj dhe Ilir Meta ishin “bërë bashkë”.

Haradinaj “injoronte” homologun dhe thumbuesin e tij politik Ramën, ndërsa vazhdonte komunikimin me mikun e tij të verës dhe takime të shpeshta nëpër male. /Insajsderi.com

Inatet personale të politikanëve që s’i lëkundi as tërmeti, Thaçi-Rama vs Haradinaj-Meta