Phillips kishte konstatuar se shteti i Kosovës udhëhiqet nga "një organizatë kriminale siç është Shërbimi Informativ i Kosovës"

Ish-këshilltari amerikan i Qeverisë nuk është më në gjendje të flasë për “milionat” e SHIK-ut

Në vitin 2010, David Phillips kishte konstatuar se SHIK-u fitonte deri në 200 milionë dollarë në vit nëpërmjet haraçit e veprimeve tjera të paligjshme. Por, rreth tri javë pas dorëheqjes nga pozita e tij si këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë në Qeverinë e Kosovës, ai nuk ka pranuar të flasë për këto konstatime. Ndërkaq, ndaj tij ende ekziston një padi për shpifje të cilën e ka ngritur ish-drejtori i SHIK-ut Latif Gashi, i cili e akuzon Phillips-in për shpifje.

Ish-këshilltari amerikan i Qeverisë nuk është më në gjendje të flasë për “milionat” e SHIK-ut

Ish-këshilltari për Marrëdhënie me Jashtë i Qeverisë së Kosovës , David Phillips nuk ka pranuar të flasë për konstatimin që kishte bërë në vitin 2010, kur kishte thënë se shteti i Kosovës udhëhiqet nga “një organizatë kriminale siç është Shërbimi Informativ i Kosovës”.

Phillips, në një analizë të publikuar në revistën “World Policy Journal”, kishte thënë se SHIK-u fitonte deri në 200 milionë dollarë në vit nëpërmjet haraçit e veprimeve tjera të paligjshme.

Ish-këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit nën presidencën e Bill Clinton, i cili gjatë këtij viti u emërua këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë nga Qeveria e Kosovës dhe dha dorëheqje vetëm pak muaj më vonë, i tha Insajderit se nuk dëshiron të flasë për kontatimet e tij për Shërbimin Informativ të Kosovës.

“Faleminderit për pyetjet. Gjithsesi, nuk jam në gjendje t’u përgjigjem këtyre [pyetjeve, v.j]”, i ka thënë Phillips Gazetës Online Insajderi, teksa nuk ka dashur të tregojë nëse ende qëndron prapa konstatimeve të tij për Qeverinë e Kosovës dhe Shërbimin Informativ të Kosovës.

Phillips nuk ka pranuar të flasë as për aktivitetin e tij në Qeverinë e Kosovës si këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë.

Në analizën e publikuar në “World Policy Journal“, amerikani David Phillips pati përmendur edhe ish-drejtorin e SHIK-ut, Latif Gashin. Pati përfshirë edhe atë në konstatimet e tij për “veprimet kriminale dhe përfitimet milionëshe të SHIK-ut”.

Për deklarimet e Phillips-it ndaj tij, Gashi pati ngritur padi ndaj analistit amerikan dhe gazetës “Koha Ditore” në vitin 2010.

Asokohe deputet i Kuvendit të Kosovës, Latif Gashi – i njohur si Lata – kishte ushtruar padi private për veprën penale të fyerjes dhe shpifjes kundër David L. Phillips, drejtor i Programit për paqëvenie dhe të drejta në institutin e Universitetit Columbias për studime mbi të drejtat e njërit dhe Agron Bajramit, kryeredaktor i Gazetës “Koha Ditore” sepse sipas tij me rastin e botimit të artikullit më 20 gusht të vitit 2010 në gazetën “Koha Ditore”, kanë përhapur pohime të pavërteta për të si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Në arsyetim të padisë, Latif Gashi pati thënë se “të pandehurit e kanë ditur se janë pohime të pavërteta dhe përkundër kësaj i kanë botuar artikullin me pohime të pavërteta pa pasur mbështetje në asnjë fakt apo provë konkrete”.


Ish-deputeti i PDK-së Latif Gashi kishte ngritur padi ndaj David Phillips lidhur me konstatimet e tij për “milionat e SHIK-ut”

“Si të tillë mbajnë përgjegjësi penale, i pari si autor i tekstit, ndërsa i pandehuri i dytë si kryeredaktor i cili ka lejuar botimin e një teksti të tillë me pohime të pavërteta. Përhapja e këtyre pohimeve të pavërteta për mua dhe familjen time paraqesin rrezik serioz meqë keqbërësit e ndryshëm mund të kërkojnë prej meje apo të më shantazhojnë në mënyra të ndryshme të bindur se kam të holla dhe pasuri ashtu siç thuhet në artikull”, kishte thënë Gashi.

Amerikani David Philips kishte thënë se Kadri Veseli, ndonëse nuk ka pasur kurrë ndonjë post zyrtar në Qeveri, ai ka pasur lidhje të ngushta me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Veseli dhe ndihmësit e tij kryesorë – Azem Syla, Fatmir Xhelili dhe Latif Gashi – kanë grumbulluar pasuri të mëdha për vete. Fondet e SHIK-ut po ashtu janë përdorur për të financuar aktivitetet e PDK-së dhe degët mediale të PDK-së, si ‘Infopressi’. Për t’u siguruar që miqtë e tij të caktohen në pozitat vendimmarrëse, SHIK-u ndikon fuqimisht tek vendimet për punësim për poste të larta në Qeveri”, kishte shkruar ai ndër të tjera, në analizën e publikuar në “WPJ“.

Por për shkak të një vendimi të Gjykatës Supreme, të nxjerr më 20 shkurt të vitit 2010, me çka u dekriminalizua shpifja dhe fyerja, padia e Gashit ndaj gazetës “Koha Ditore” dhe profesorit amerikan David Phillips ishte hedhur poshtë.

Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2010 kishte marrë vendim që padia private e Gashit ndaj Phillips dhe “Kohës Ditore” të shqyrtohej si padi civile.

E kur kanë kaluar gati tetë vjet prej prej kohës kur Gashi ka ngritur padi ndaj Phillips, lënda ende nuk është shqyrtuar nga gjykatat në vend. Por, Latif Gashi thotë se ende i qëndron mbrapa padisë që kishte ngritur kundër analistit amerikan. Në një intervistë për Insajderin, ish-deputeti i PDK-së ka thënë se është i gatshëm të përballet me David Phillips-in.

“Unë qëndroj mbrapa padisë që kam ngritur kundër tij dhe jam i gatshëm të përballem me të në Gjykatë, sepse të gjitha ato që ai i ka shkruar kundër meje kanë qenë shpifje. Jo shumica e gjërave që i ka thënë, por 100 për qind [të konstatimeve, v.j] kanë qenë të pavërteta”, ka thënë Gashi në një bisedë telefonike me Insajderin.

Gashi është shprehur se Phillips është shërbyer nga njerëz të tjerë në Kosovë për t’i dhënë konstatimet lidhur me “milionat” e SHIK-ut.

“Përpos faktit që unë kam qenë drejtor i Shërbimit, asgjë tjetër që ai ka thënë nuk janë të vërteta”, ka thënë Gashi, teksa ka shprehur bindjen se Phillips është paguar për të përlyer emrin e tij dhe Shërbimit Informativ të Kosovës. “Ai është paguar për t’i dhënë ato gjëra”.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i SHIK-ut ka deklaruar se është krenar me veprimtarinë e tij, si në kohën e luftës, ashtu edhe pas luftës. Gashi ka thënë se Phillips kishte publikuar analizën për SHIK-un në kohën kur ai po mbahej në burg, sipas tij, padrejtësisht për “krime lufte”.

“Unë kam qenë në burg në kohën kur ai [Phillips, v.j] kishte publikuar shkrimin. Ka qenë periudhë e vështirë për familjen time, por edhe për mua personalisht”, ka deklaruar Gashi.

Latif Gashi kishte vendosur të shkonte vullnetarisht në mbajtje të dënimit në vitin 2016, kur kishte dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës. Gashi e kishte quajtur të padrejtë vendimin e dy shkallëve të para të gjykatave në vend, të cilat e dënuan atë me 6 vjet burgim.

“Për Lirinë dhe Pavarësinë e Atdheut kurrë nuk është bollë të sakrifikohesh”, pati thënë Gashi, në një postim në rrjetin social Facebook në vitin 2016, kur edhe kishte kumtuar lajmin.

Phillips është drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia të New Yorkut. Ai shërbeu si Këshilltar i Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, nën presidencën e Clintonit, Bushit dhe Obamës. Autori i “Liberating Kosovo: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-së”, Phillips punoi edhe me Ambasadorin Richard C. Holbrooke në Bosnje dhe Kosovë. /Insajderi.com