Ish-ministri i Malit të Zi parasheh destabilizim nëse Kosova nuk e pranon demarkacionin aktual

Ish-ministri i Malit të Zi parasheh destabilizim nëse Kosova nuk e pranon demarkacionin aktual

Demarkacioni i vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një nga çështjet e pazgjidhura edhe për Qeverinë e re të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, që në mbledhjen e parë të Qeverisë së re të Kosovës, shkarkoi Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që udhëhiqej nga Murat Meha.

Sipas Haradinajt, Komisioni i ri, i cili do të emërohet, do të punojë që t’i sjell Qeverisë të gjeturat për punët rreth shënimit të kufirit me Republikën e Malit të Zi.

Ish-ministri malazias i Drejtësisë, Dragan Shoq, tha për Radion Evropa e Lirë se për Malin e Zi, shënjimi i vijës kufitare me Kosovën është çështje e mbyllur.

Duke e komentuar vendimin e Qeverisë së re të Kosovës për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, Shoq tha se nëse vendimi është marrë që të korrigjohen, ato që Prishtina i sheh si gabime, atëherë kjo mund të sjellë destabilizim.

“Ata (pala kosovare) e kanë pasur Komisionin, i cili ka kryer punën e vet në bazë të së cilës është nënshkruar marrëveshja për demarkacionin, të cilën njëra palë (ajo e Malit të Zi) e ka ratifikuar. Edhe Qeveria e Kosovës e kishte dërguar këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, që do të thotë se edhe Qeveria e Kosovës e kishte pranuar atë”, theksoi Shoq.

Për Malin e Zi demarkacioni me Kosovën është punë e kryer

Ai tha se nuk ka ndonjë arsye që çështja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të rihapet, ndonëse është e mundur gjithmonë që të bisedohet.

Ndryshe, i emëruari në krye të Komisionit të ri shtetëror për shënjimin e vijës kufitare,Shpejtim Bulliqi, njihet edhe si kundërshtari më i madh i versionit aktual për shënjimin e kufirit më Malin e Zi.

Bulliqi disa herë kishte përsëritur qëndrimin e tij, se me marrëveshjen për demarkacion, Kosova humb territor, kurse Mali i Zi fiton sipërfaqe prej 70.44 kilometrash katrorë.

Ai, po ashtu, pati thënë se Mali i Zi gjatë aplikimit dhe anëtarësimit në organizatën ndërkombëtare, është pranuar me sipërfaqe 13. 812 kilometra katrorë dhe jo me 13.882 kilometra, siç rezulton pas marrëveshjes së arritur në Kosovë.

Të marten, Ambasada Amerikane në Kosovë tha se mbështetë marrëveshjen për demarkacion mes Malit të Zi dhe Kosovës që është arritur në vitin 2015.

Ambasada Amerikane mbështetë marrëveshjen të cilën e ka kundërshtuar kryeministri

Kryetari i Komisionit malazez për shënimin e kufirit, Milan Paunoviq, në një prononcim për TVCG, ka thënë se situata në lidhje me kufirin Kosovë-Mali i Zi do të zgjidhet sipas marrëveshjes tashmë të arritur ndërmjet dy palëve./Insajderi.com