Kërcënimet me jetë të kundërshtarëve politik në Kosovë – Nga ‘marrja në shenjë’ e deri te ‘ta lëshojë Kosovën ose të vritet’

Kërcënimet me jetë të kundërshtarëve politik në Kosovë – Nga ‘marrja në shenjë’ e deri te ‘ta lëshojë Kosovën ose të vritet’

Historia e kërcënimeve të kundërshtareve politik është e hershme prej kohës së luftës kur njerëzit e UÇK-së, kërcënonin ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe LDK-në, si tradhtar dhe se tradhtarët i priste plumbi, shkruan Gazeta Insajderi.

Gjuha kërcënuese ishte shumë e ashpër pas luftës, derisa ishte qetësuar dikur.

Por anëtarët e VV-së, e kishin rikthyer atë. Kërcënimi më i hapur me jetë ishte ai i Alban Krasniqit të VV-së, njëherësh edhe bashkëshorti i deputetes Albulena Haxhiu.

Ai kishte thënë se Kadri Veselit së shpejti do t’i vije fundi. Krejt kjo duke u thirrur në atë se ky i fundit po e keqpërdorë emrin e Adem Demaçit, i cili asokohe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Kadri Veseli duke keqpërdorë ditët e fundit të Bacës Adem i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kadri,ti kurrë nuk do mund ta fshehësh kriminalitetin tënd përmes abuzimit me figurën e Adem Demaçit. Kadri të vjen radha edhe ty..shumë shpejtë ska milici që të mbronë nga populli i revoltuar. Pastë dorën e marë ai që të marrtë në shenjë”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook në shkurt të vitit 2016-të.

Një kërcënim i tillë ka ardhur dje nga kandidati për deputet në zgjedhjet e tetorit nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Haxhi Hoti. Ai ka thënë se kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i ka dy rrugë, ta lëshojë Kosovën ose të vritet.

“John F. Kennedy Ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti i ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar Haxhi Hoti në profilin e tij në Facebook, transmeton Insajderi.

Pas këtij postimi nisën reagimet në rrjetin social Facebook. Ndërsa Hoti, fshiu postimi dhe kërkoi falje duke thënë se është bërë një gabim teknik.

Por, nuk përfundoi me kaq.

Pak orë pas shkrimit, Prokuroria në Prishtinë, lëshoi urdhërarrest për të. Derisa, ai u arrestua në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës. E pas arrestimit, Prokuroria Themelore, i caktoi atij masën e mbajtjes prej 48 orësh.

E kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, pikërisht I kërcënuari me jetë nga Haxhi Hoti, Albin Kurti, sot komentoi këtë kërcënim që e ka marrë publikisht nga anëtari I NISMA-së.

Kërcënimi i Hotit sipas Kurtit “nuk është ndonjë gjë e madhe”. Ai ka preferuar që vlerësimin e këtij kërcënimi t’ua lë organeve të drejtësisë.

“Unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Osëald. Nuk mund t’i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij”, ka thënë Kurti para mediave./ Insajderi.com