Kështu keqpërdoreshin paratë e avanceve në shëndetësi

Janë mbi 15 kode buxhetore në emër të të cilave janë tërhequr afro 300 mijë euro avance për Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicionale , sipas të dhënave të Thesarit të shtetit, kurse afro 400 mijë sipas të dhënave të xhirollogarisë bankare të Ministrisë së Shëndetësisë po për avance, derisa menaxhmenti i kësaj agjencie ka identifikuar se kanë shpenzuar veç 32 mijë euro për udhëtime jashtë vendit. Insajderi sjell detaje nga hetimi që po e kryen Policia e Kosovës

Kështu keqpërdoreshin paratë e avanceve në shëndetësi

Sh.S. F.K. dhe G.G janë tre zyrtarë të financave që të premten janë pezulluar nga puna në Ministrinë e Shëndetësisë. Këtë për Insajderin e ka konfirmuar kabineti i Ministrit Uran Ismaili.

Burime të Insajderit bëjnë me dije se pezullimi i tyre nga puna lidhet me dyshimet për keqpërdorime të fondit për paradhënie – avance, skandal për të cilin javën e kaluar ka raportuar Insajderi.

Dyshime për keqpërdorime me avance në shëndetësi, nisin largimet nga puna

Javën e kaluar edhe në Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicionale  (AKPPM) janë pezulluar punëtorë të financave nga puna, po për të njëjtën arsye, derisa siç raportoi Insajderi, Mendim Sojeva, drejtor financiar në AKPPM është arrestuar po në lidhje me këtë hetim që po zhvillohet nga Policia e Kosovës.

Por, si dhe sa para dyshohet se u keqpërdorën në emër të avanseve duke u përdorur kodi i AKPPM-së?

Në dokumentet e dosjes hetimore të Policisë të cilat i ka siguruar Insajderi del që në emër të avanceve për AKPPM-në janë tërhequr mbi 320 mijë euro gjatë viti 2017, derisa menaxhmenti i kësaj agjencie ka gjetur se janë veç 32 mijë euro të shpenzuara nga zyrtaret e tyre për avance ne rast udhëtimesh zyrtare.

Pra, dokumentet e rastit hetimor të ardhura nga Thesari i shtetit deri tash se janë afro 300 mijë euro që dyshohet se janë tërhequr nga persona të ndryshëm në emër të avanceve, por që nuk ishin autorizuar nga AKPPM-ja.

Kurse, një raport bankar i bashkangjitur në këtë rast thotë që në emër të nën-kodit 720 që i përket AKPPM-së që është pjesë e kodit 206 të avanceve në Ministrinë e Shëndetësisë janë tërhequr mbi 430 mijë euro, derisa vlera e avanceve për udhëtime zyrtare që dihet në AKPPM që është përdorur nga zyrtarët e tyre për udhëtime jashtë vendit është përsëri e njëjtë, mbi 32 mijë euro.

Hetuesit janë informuar zyrtarisht që deri tash është gjetur se në emër të avanceve nga ky grup i personave që kanë përdorur 15 kode të ndryshme, përfshirë këtu edhe përdorimin e kodit 13501- kod për blerjen e mobileve ku në emër të tij janë tërhequr avance në vlera 20 mijë euro, derisa mobilet e tillakurrë nuk kanë shkuar në AKPPM.

Insajderi ka raportuar javën e kaluar për denoncimin e rastit të dyshimeve për keqpërdorime me avance në fondet e Ministrisë së Shëndetësisë, raportim për të cilin pati reaguar menjëherë Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në llogarinë e tij në facebook.

“Çdo euro e keqpërdorur do të kërkojmë që t’i kthehet buxhetit të shëndetësisë”, pati shkruar ai.

APMK është organ i pavarur ekzekutiv i Ministrisë së Shëndetësisë me subjektivitet juridik, që ka përgjegjësi ligjore përkitazi me çështjet shkencore dhe teknike që kanë të bëjnë me produktet dhe pajisjet medicinale për përdorim njerëzor.

Dyshime për keqpërdorime me avance në shëndetësi, nisin largimet nga puna