45 tenderë e mbi 10 milionë euro shpenzime për Kompleksin Memorial "Adem Jashari", por shtëpitë e rezistencës ende rrezikojnë që të shemben. Në një dokumentar InDoks sjell krejt prapaskenat e këtyre tenderëve, pjesën më të madhe të të cilëve i fitoi një ortak i Bekim Jasharit, shkruan Insajderi.
Janë bërë plotë dy dekada që kur ky memorial me një histori rrëqethëse brenda dhe jashtë tij, pret intervenimin e shtetit. Ka plotë 20 vite që diskutohet e ndahet buxhet për këtë, mirëpo ende nuk është ndërmarr asnjë hap. Po ashtu edhe sivjet janë ndarë 3 milionë euro, por gjasat janë minimale që të nisë restaurimi dhe konservimi.
Janë ndarë 45 tenderë ndërsa 500 mijë euro janë shpenzuar për projektin slloven, i cili tregon se si do të ‘duket’ Memoriali “Adem Jashari” në Prekaz. Por, ky projekt tanimë thuhet se nuk i plotëson kushtet për jetësim ndërsa memoriali tashmë është gati në shkatërrim total.
Ndërkohë Insajderi ka siguruar raportin e Agjencisë për Menaxhimin e Memorialëve që ia ka dërguar Komitetit për Kompleksin “Adem Jashari”. Aty janë listuar krejt shpenzimet që janë bërë nga kjo agjenci dhe më herët edhe nga Ministria e Mjedisit për këtë projekt. Kur shikohet kjo listë e gjatë, lehtë edhe projekti mund të emërohet si Kompleksi i Tenderëve “Adem Jashari”.
Për këtë memorial janë shpenzuar për këta 45 tenderë hiç më pak se sa 10.5 milionë euro. E, kurdo që përmendet fjala “tender”, ajo asocion me fjalën korrupsion.
Në një intervistë për Insajderin, drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Përkujtimore -Bislim Zogaj, tregoi për vizitën katër ditore që u bë në Turqi, pikërisht në Çanakala, për të marrë shembull se si duhet ta bëjnë Memorialin “Adem Jashari”. Përveç kësaj, Zogaj, tregoi për Insajderin se çfarë do të bëhet me projektin slloven dhe cilat do të jenë hapat e tjerë që do të bëjnë në lidhje me këtë Memorial.
“Agjencioni e ka një projekt nga një kompani Sllovene, që realisht e ka marrë si obligim komiteti ndërministror që ta bëjë vlerësimin e atij projekti, se a i plotëson kushtet ashtu siç e meriton që ky kompleks të jetë. Pas përcaktimit të komitetit ndërministror se a do të vazhdohet me këtë projekt apo do ta bëjmë një tjetër ka dal si konkluzion nga mbledhja e dytë që një komision apo disa anëtarë të komisionit të bëjë hulumtimet apo të merr përvoja nga vendet tjera që të vijnë në përfundim se si do të dukej projekti për memorialin Adem Jashari”, tha fillimisht Zogaj, për Insajderin duke vazhduar tutje të tregoi se komisioni është i interesuar që paraprakisht ta caktojnë ndonjë kompani që ta bëjë vlerësimin e projektit ekzistues.
“Ai projekt ka kushtuar por nuk do të thotë që i plotëson kriteret sepse realisht, detyra projektuese që ka qenë nuk ka qenë ndonjë detyrë që ka pasur shumë të dhëna se si do të duhej të ishte. Projekti i kaluar ka kushtuar diku rreth 500 mijë euro me mbikëqyrje e me të gjitha”.
“Mendoj që ne duhet jo 500 mijë por edhe 1 cent të jemi të kujdesshëm që mos ta paguajmë dy herë, do t’i kemi parasysh gjithsesi mjetet që janë ndarë, por me siguri në fund të fundit edhe për komitetin ndërministror por edhe për qytetarët e Kosovës, më me rëndësi është që projekti që do të jetë me shekuj të bëhet ashtu siç duhet, e jo për 500 mijë euro ta lëmë që në gjeneratat e ardhshme të mos prezantohet ashtu siç duhet. Komiteti si fillim është i interesuar që të shkojë me projektin ekzistues, por duke pas parasysh që mos të bimë pre e atyre mjeteve (500 mijë euro), ta bëjmë një projekt të denjë”, theksoi Zogaj, duke thënë se nëse ky projekt nuk i plotëson kushtet, më mirë sipas Zogajt, tani t’i humbasim 500 mijë euro se sa me gjenerata të tëra të thonë se nuk kanë bërë asgjë.
I pyetur nga Insajderi, në lidhje me projektin e arkitektit kosovar me famë ndërkombëtare Përparim Ramaj, Zogaj tha se për atë projekt kanë thënë se nuk e ka plotësuar asnjë kriter.
“Sipas të dhënave disa kanë thënë që ka qenë i mirë e disa kanë thënë që absolut asnjë kriter nuk e ka plotësuar”, u shpreh ai.
I gjithë projekti i Ramës pati kushtuar 6 milionë euro, e gjysma e kësaj shume që është 3 milionë euro është ndarë vetëm për këtë vit ku sipas drejtorit të Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Bislim Zogaj, mjaftojnë për sivjet.
“Janë të buxhetuara 3 milionë që besoj që mjaftojnë, sepse konservimi merr kohë dhe besoj që për këtë vit mjaftojnë këto mjete. Por nëse arrijmë ta bëjmë projektin dhe t’i zhvillojmë procedurat e tenderimit projekti sigurisht do të kushtojë shumë më shtrenjtë. Por për fillim kemi mjete të mjaftueshme”, ka thënë Bislim Zogaj, duke vazhduar të thotë se do të mundohen që të mos jenë peng i procedurave që ta vonojnë kompleksin, sepse edhe ashtu sipas tij, janë shumë vonë.
Ai tha se sigurisht që tenderimi për projektin tjetër, do të jetë ndërkombëtar.
“Edhe pse do të jetë konkurs ndërkombëtar në atë kompani patjetër do të jetë një shqiptar, ose nga Kosova ose nga Shqipëria sepse nuk mund të i jep shpirt kompleksit dikush që nuk i ka përjetuar ngjarjet e asaj periudhe”.
Gazeta Insajderi, ka folur edhe me zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj, njëherësh edhe kryetar i Komisionit Ndërministror për Komplekse Memoriale.
“Siç e thatë ju ne kemi hasur në ndërprerje të punimeve për shkak të qëndrimeve rreth projektit të kompanisë sllovene. Ka qenë një kompani vlerësuese që nuk e ka pranuar atë projekt që e ka bërë vlerësimin dhe ndërkohë është një grup njerëzish nga Tirana që e kanë pranuar praktikisht. Jemi në një situatë që projekti ka telashe”, është shprehur ai.
Por, Limaj thotë se komiteti që ai e drejton do të kujdeset që të mos shpenzohen shumë para të shtetit. Edhe pse situata duket e koklavitur.
Dhe si do që të përfundojë procesi, Fatmir Limaj i ka vënë tashmë disa kritere në të cilat thotë se nuk lëshojnë pe.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, nuk duhet të kemi veprime të tilla që shpenzojmë dhe vijmë në një situatë që asgjë nuk kemi bërë. Duhet të marrim profesionist, dhe ne si komitet duhet ta shtyjmë punën e t’i tejkalojmë këto pengesa. Ajo që është bërë deri më tani varet nga njerëzit profesional dhe ekspertët duhet të japin mendimin e tyre dhe pastaj do ta kemi shumë më lehtë”, pohoi Limaj.
E ky projekt gjysmë milionëshi që ende nuk po jetësohet, dhe që nuk dihet bile se a do të jetësohet, në fakt është një tender. Edhe shumë tenderë të tjerë janë shpallur për Kompleksin “Adem Jashari”. Janë shpenzuar edhe shumë miliona për ato pak gjëra që mund të shohin vizitorët, që përllogarite se që nga mbarimi i luftës e deri tash e kanë vizituar miliona njerëz.
Pos tenderit për ruajtjen e shtëpive të rezistencës së Jasharajve, janë edhe dhjetëra tenderë të tjerë që i ka zhvilluar Ministria e Mjedisit dhe Agjencia e Memorialëve për këtë pjesë.
Ndër ta që bien më në sy për kah vlera janë tenderi për hartimin e projektit kryesor për qendrën e Memorialit “Adem Jashari” që ka kushtuar 120 mijë euro e është fituar nga kompanitë “A Design” dhe “Atelier”, pastaj kryerja e punëve hidroteknike po për atë qendër që ka kushtuar afro 300 mijë euro dhe i është dhënë kompanisë “100 Design” nga Skenderaj.
Po të njëjtës kompani i është dhënë edhe ekzekutimi i punëve në këtë kompleks në vitin 2006 dhe ka lidhur një kontratë prej mbi 280 mijë euro me Qeverinë. E njëjta kompani po ashtu në tri vitet që do të pasonin shpërblehet edhe me dy tenderë me emër të njëjtë: “ekzekutim i punimeve” dhe vlera e tyre së bashku shkon në afro 3.5 milionë euro.
“100 Design”, e njëjta kompani në vitin 2009 angazhohet për të ndërtuar një mur mbrojtës për nevojat e Kompleksit dhe kontrata me të figuron të jetë hiç më pak se afro 140 mijë euro. Kjo kompani në vitin 2010 angazhohet përsëri nga Qeveria për vazhdimin e punëve në Kompleks dhe kontrata e këtij tenderi peshon afro 1.5 milionë euro.
Për hartimin e projekti ideor për amfiteatrin në Memorial po atë vit i besohet një kompanie nga Prekazi, “H&B Consulting” dhe shpërblehet me 118 mijë euro. Në vitin 2010 po e njëjta kompani i merr edhe 44 mijë euro të tjera tenderë. Kompania “100% Design” ka marrë në këtë kompleks 13 tenderë, sipas raporti të Agjencisë për Menxhimin e Memorialëve, raport ky që ia ka dorëzuar komitetit ndërministror. Kjo kompani është hisedarë edhe në kompaninë “Premium Group” është merret me ndërtim të banesave. “100% Design” aty mban 12 % të aksioneve, dhe është në pronësi të Avni Lushtakut, një biznesmen nga Skenderaj në emër të të cilit janë të regjistruara edhe së paku tri firma të tjera.
Ortakë të tjerë në kompaninë “Premium Group” janë edhe Bashkim Jashari, Fazli Jashari, Xhafer Demaj, Besim Demaj dhe Bahri Nuredini. Nuredini aktualisht është drejtor i hises së shtetit në Aeroportin “Adem Jashari”, ose e njohur si “Kulla e Aeroportit”.
E, hisen më të madhe të aksioneve në kompaninë “Premium Group” e mban Bekim Jashari, Kryetari i Skenderajt, nga familja Jashari. Ai i ka në këtë firmë 50 % të aksioneve.
Siç kishte raportuar Insajderi kohë më parë Hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale (EUOCI) kishin bërë një raport të veçantë për Aeroportin e Prishtinës, ku thuhet se thyerja e protokolleve të sigurisë me prishje radarësh e mungesë gjeneratorësh janë vetëm një anë e problemeve, derisa ngrenë dyshime për keqpërdorime financiare në projekte milionëshe.
EUOCI ngre dyshime se Bahri Nurdini dhe Bekim Jashari që dikur shërbeu si anëtarë bordi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, e kanë ngritur firmën ndërtimore “Premium Group” dhe se paratë për këtë biznes profitabil mund t’i kenë marrë nga ndonjë projekt në Aeroport. Bekim Jashari nuk është pajtuar që të flas për këtë dokumentar.
E kur flitet për mundësi keqpërdorimesh me fondet që u shpenzuan për kompleksin “Adem Jshari” e që janë mbi 10.5 milionë euro, Fatmir Limaj i komitetit ndërministror për këtë punë, nuk e përjashton as përfshirjen e Prokurorisë.
“Nuk kemi të drejtë ajo që mund të them dokumentacionet nëse ka diçka që nuk është në rregull që organet hetimore duhet të hetojnë dokumentacioni ekziston neni mbi bazat e raporti e dimë se çka ka ndodhë, është një raport i përmbledhur ne e kemi kërkuar një raport me e shiku se çka ka ndodhë deri më tani dhe prej aty çka duhet të bëjmë, si duhet të ecim. Ky raport ekziston nëse ka dilem dhe dyshime që ka ndodhë rrugës diçka atëherë duhet që organet e drejtësisë t’i hetojnë dosjet”, ka thënë Limaj.
Mbi 10 milionë euro të shpenzuara. 45 tenderë të dhënë dhe të tjerë që do të jepen. Dhe pjesa më e rëndësishme e Kompleksit “Adem Jashari”, shtëpitë e rezistencës, po shkojnë drejt rrënimit. Tashmë edhe ciceronëve nuk iu lejohet të flasin për këtë punë. Ndërhyrja e shpjet në këtë punë është e zorshme të pritet pasi që Qeveria ka mbetur peng i një projekti që e ka paguar afro gjysmë milioni euro, por që jo të gjithë e duan. Kompania që e ka bërë atë projekt nuk ka pranuar që të komentoj.
Jo vetëm kjo pyetje por edhe shumë të tjera mbesin pa përgjigje në rastin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”. Edhe sa tenderë do të shpallën? Edhe sa nga ta do ti fitojnë ortakët e Bekim Jasharit? Edhe sa para do të shpenzohen? A do të mund që të ndërhyrjet me konservim para se të rrënohen edhe gjurmët e fundit të rezistencës së Jasharëve në një kohë kritike të para 20 viteve? A ka Qeveria interes që të e përfundoj këtë projekt, apo nga Kompleks kujtimesh për luftën, ky vend është kthyer në kompleks tenderësh të majmë? Edhe gjatë duket se do të pres publiku para se të mund ta shoh një memorial dinjitozë për rezistencën e Jasharajve./ Insajderi.com