Visar Duriqi
Të varfër e të lënë pa përkujdesje të nevojshme nga shteti, ani pse zyrtarisht ndahen miliona euro për ta që nga pas lufta. Të mashtruar e të keqpërdorur nga liderët e tyre politikë që u pasuruan shpejt. InDoks në një dokumentar 50 minutash solli historinë e pa rrëfyer më parë, të krimeve që u bën në emër të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian
Një donacion prej 5 mijë euro për pajisje muzikore ndarë nga shteti për komunitetin, kanë përfunduar tek djali i ish-deputetit Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës Danush Ademit, Edi Ademi.
InDoks ka siguruar dokument që dëshmon se 5 mijë eurot e këtij donacioni, janë destinuar tek vajza e Danush Ademit, Hadije Ademi. Kur InDoks ka tentuar të kontaktojë përfituesin e këtij fondi, del që është direkt numri i deputetit Ademi.
Ish-deputeti nuk ka pranuar të japë shpjegime për këto para.
Por, historia e tij me përfitime për rrethin e familjes e bashkëpartiakët nuk ndalet këtu.
Një hulumtim i Gazetës Insajderi, pati gjetur se si nga një fondi prej 3.2 milionë eurosh i ndarë nga Qeveria e Kosovës, përmes së cilit do të ndërtoheshin 273 shtëpi për pjestarët e komuniteteteve, kanë përfituar motra, xhaxhai dhe këshilltari i Danush Ademit.
“Projektet për komunitetet e Grupit 6+”, do të implementohej nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me komunat 20 komuna.
Në listën e përfituesve nga komuna e Ferizajt figuronin Adile Mustafa motra Danush Ademi, xhaxhai i tij Nuredin Ademi dhe këshilltari i tij Bajram Maiqi. Derisa Komuna e Ferizajt kishte refuzuar që të tregonte se si u përzgjedh të afërmit e deputetit Ademi, ky i fundit kishte thënë vetëm se që të tre kanë nevojë. Ani pse e kishte pranuar që motra e tij tashmë e ka një shtëpi tjetër.
Ky politikan, deputet deri në zgjedhjet e fundit, në fillim ishte pajtuar që të jepte një intervistë për dokumentarin, por më vonë është tërhequr nga marrëveshja.
InDoks ka gjetur se njerëz të lidhur me të kishin përfituar edhe nga forma të tjera dhe fonde tjera publike.
Në vitin 2018 nga Ministria e Zhvillimit Rajonal edhe dy persona të tjerë të afërt me ish-deputetin Ademi kanë përfituar grante mijëra euro. Kjo ministri kishte një programin për Zhvillimit Rajonal të Balansuar. Mesefa Ademi nga komuna e Ferizajt përfitoi pesë mijë euro me një biznes e projekt për “Sallon i floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë.
Gjithashtu, nga e njëjta ministri, në të njëjtin rast grantesh të njëjtën shumë të të hollave e ka marrë edhe vajza e vëllait të Danush Ademit, Remizje Ademi nga komuna e Prizrenit, e cila mësohet që madje është e martuar dhe jeton ne Suedi.
Në këtë ministri kanë thënë që nuk e dinin që përfitueset ishin të afërme të ish-deputetit Ademi.
Sipas deklarimit të pasurisë Danush Ademi, deri tash deputet i komunitetit ashkali ka deklaruar e ka vetëm një shtëpi në vlerë prej 80 mijë eurosh. PO ashtu ka një lokal në vlerë mbi 30 mijë euro dhe vozitë një veturë që vlen mbi 15 mijë euro. sa ishte deputet deklaroi se me pagën e mëditjet i ka marrë mbi 26 mijë euro para të thata në vit.
Albert Kinolli deputeti nga komuniteti rom, për InDoks ka folur për gjendjen e komuniteti që i përfaqëson, por edhe për raportimin për keqpërdorim në emër të tyre.
Ai thotë se nuk ka qenë në njohuri për keqpërdorimet që janë bërë nga ky fond, mirëpo shprehet i bindur se tek komuniteti rom, janë përzgjedhur familjarë të cilët më të vërtetë kanë pasur nevojë për shtëpi.
“Të jem i sinqertë unë për këtë që ju pe thoni e kam lexu në gazetën Insajderi nga shkrimet e juaj, sinqerisht nuk jam i njoftuar lidhur më këtë situatë, mirëpo mund të garantoj dhe të them me përgjithësinë më të madhe politike dhe njerëzore që të komuniteti të cilin e përfaqësoj, struktura e subjektit dhe përfaqësuesit e lagjes, kryetarët e degëve të qyteteve, i kanë përzgjedhur familjet të cilët në të vërtetë kanë pasur nevojë për ndërtimin e shtëpive”, ka thënë Kinolli.
Bashkim Ibishi drejtor i organizatës jo-qeveritare “Advancing Together”, për InDoks lidhur me keqpëdorimet me këtë fondin për shtypit, tha se fakti që nuk ka pasur hetime e gjykime të mirëfillta për keqpërdorimin e fondeve për minoritete, është shenjë e mungesës së vullnetit nga Prokuroria
“Po more, shumë leht gjendet keqpërdorimi vetëm nëse të nderuarit prokuror e kishin marrë për obligim me i lexu raportet e auditorit, raportet e auditorit nuk nevojitet shumë me kanë mjeshtër i madh, veç me analizu edhe me kuptu se qysh çka tek ka arrit te ai rezultat dhe ai është dokument publik, nuk po flas veç për një ministri të caktume por po flas për institucione”, shprehet Ibishi.
Por ish-deputeti Danush Ademi, nuk është i vetmi.
Sabit Rrahmani, dikur njëri nga njerëzit që përfaqësonte ashkalinjtë, sot jeton jashtë Kosovë. Ai ishte ndjekur penalisht nga organet kosovare shumë vite më parë.
Në vitin 2006 madje ishte paraqitur edhe vetë në Gjykatë në Ferizaj për ta marrë vendimin për dënim me burg. Në kohën kur u dënua, mediat raportonin se ish-deputetit Rrahmani i përmendeshin më shumë se dhjetë padi, mirëpo dënimi me pesë muaj i ishte shqiptuar për tri të tilla të vitit 2001- 2002.
Akuzohej se disa personave iu ka premtuar se do t’i dërgojë në Suedi, Francë, Gjermani, ku vetëm nga këto tri mashtrime Sabiti ka fituar rreth 4.000 mijë euro, dhe të dëmtuarve nuk u janë siguruar vizat e premtuara, e as nuk u janë kthyer të hollat.
Raportimet shpalosnin se Sabit Rrahmani për t’u treguar më i bindshëm te viktimat e tij shpeshherë i ka dërguar edhe nëpër ambasada të vendeve përkatëse, në Prishtinë dhe në Shkup. Lënda e parë ishte e shtatorit të vitit 2002, kur në shtëpinë e tij për të përfituar ka mashtruar një qytetar se do t’ia sigurojë vizën për Suedi.
Nga i dëmtuari, Sabiti kishte kërkuar 2.300 euro, ku ai një pjesë ia ka dhënë gruas së tij e pas pak ditësh pjesën tjetër ia kishte dhënë rojës së tij.
Dy viktimave të tjera ai u kishte marrë më pak para, nga 400 dhe respektivisht njëmijë euro. Mirëpo vizat nuk ua bëri kurrë. vendim është i prerë dhe Sabiti do t’i mbajë pesë muaj burg.
Akuza të tjera mbi këtë deputet ishin ato të keqpërdorimit të një shoqate me emrin “Zëri i Popullit”.
Kompania “Shqiponja” nga Skenderaj e kishte denoncuar Rrahmanin se i njëjti i kishte marrë ushqim me vlerë prej mbi 6 mijë eurosh në emër të kësaj shoqate. Borxhin nuk ua ktheu.
Me këtë shoqatë kishte mashtruar njerëz edhe për viza, e në raste tjera për nevoja personale për të blerë edhe veturë.
Atë kohë, kur vinin denoncime të shumtë kundër tij ish-Deputeti Rrahmani kishte thënë se mashtrimet i ka bërë për “me i ngopë komunitetin e tij ashkali me bukë”.
I kontaktuar nga InDoks, Sabit Rrahmani ka pranuar që të flasë, të i sqaroi edhe rastet e tij, madje ai ka paralajmëruar edhe rikthim të tij në politikën kosovare. Por, sa ka borxhe ky politikan, që ai i quan private?
“Tani veçë se është mbledh një fond prej vetë komunitetit për t’i kthyer këto borxhe të mija. Tani kur po flasim, pothuajse 60 për qind të obligimeve të mija finaciare i kam kthy, tash do të jetë edhe një fazë e dytë e këtij aksioni. Ky aksioni ka rrjedh prej një grupi vullnetar prej vetë komunitetit ashkali që unë jam falënderua. Kemi filluar edhe me i kthye obligmet që i kemi pas për arsye edhe kur i kemi marrë për nevojë të ndryshme, i kemi marrë me i kthye. Situata ka qenë asisoj që nuk kemi mundur me i kthye, disa mjete në kuadër të kontratës që e kemi pas për të cilat edhe unë jam djeg kinse kam mashtru, gjë që nuk është e vërtetë se kërkujt s’ja kam marrë prej xhepit, por me marrëveshje bazë, në 12 vite po kthehemi. Ka qenë një shumë prej 96 e 200 euro”, ka thënë Rrahmani për Insajderin.
Komunitetet pakica, romë, ashkali dhe egjiptian, vazhdojnë të përballen me një shkallë të lartë të papunësisë në Kosovë. Edhe pse janë ndarëmiliona euro për të ngritur standardin e tyre të jetës. Edhe pse janë bërë shumë projekte për këtë punë. Edhe pse është folur jo rrallë për ta edhe në institucionet më të larta të vendit për jetën e mjerueshme që bëjnë ata, pak gjëra kanë ndërruar.
Sipas këtij hulumtimi të realizuar nga emisioni dokumentar InDoks, pos gjendjes së tyre të rëndë ekonomik, këto komunitetet janë të përfaqësuara nga lider që akuzohen në afera të ndryshme korruptive.
Emran Rama, pjesëtar i komunitetit ashkali nga Fushë Kosova, ka treguar me emra se si përfaqësuesit e këtij komuniteti, abuzojnë me qytetarët të cilët i kanë kushtet e vështira ekonomike.
“Këtu është pak problem, sepse deputetet tonë edhe kryetari janë pak të korruptun, secili i këqyrë punët e veta. Me i këqyrë familjet e veta, për njerëzit e varfër për fukren nuk i interson kërkujt, ka raste njeri i ka shpiat e veta, i ka krejt, tash u ba zëvendës ministër i Rinisë edhe i Sportit (fjala është për Resul Makreshin) edhe e ka ndëru edhe një shtëpi për vete. Qashtu ai tjetri, qata unë asnjë parti nuk e përkrahi, qe 20 vite kërkush nuk na nimon, dru shkepin, kryetari i partisë Qerim Gara (fjala është për kryetarin e lagjes) shkepin dru e harxh, kurr nuk na jep neve, pse? Mas pari e qojnë mallin të shpia, e nalin për veti, tani ja ndajnë tjetër kujna, qashtu edhe këta tjertë, nuk i intersojnë kërkujt për varfëri, nuk i interson kërkujt as me na vizitu, veç këto organizatat, bamirasat janë kanë dy herë, na kanë pru harxh, tjetër kush jo”, ka treguar Rama. /Insajderi.com