Kryeministri Albin Kurti, deklaroi të enjten se Kosova ka një asociacion të komunave funksional, derisa shtoi se s’mund të ketë asociacion mbi baza etnike, transmeton Insajderi.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, u shpreh shefi i ekzekutivit për KosovaPress.
Kurti shtoi se janë për të drejtat e të gjitha pakicave, dhe kundër margjinalizimit apo diskriminimi.
Sipas tij, kërkesa të tilla po vijnë nga politikanët dhe fqinjët veriorë.
“Kërkesa për asociacion etnik e cila ka tash e gati një dekadë që mbahet aktuale nuk më duket që vie nga njerëzit e thjeshtë. Por nga politikanët e fqinjët tonë veriorë”, deklaroi ai./Insajderi.com