
Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit Hashim Thaçi, zyrtarisht u vendos në pozitën e Drejtorit Menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në garë Thaçi kishte si rival shefin e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-ministrin Blerand Stavilecin.
Sipas njoftimit të KEK-ut Thaçi ka dalë kandidati më i suksesshëm në këtë garë me pikë maksimale në fazën e vlerësimit.
“Duke respektuar në përpikëri Ligji e Ndërmarrjeve Publike, sipas kritereve të konkursit, në një proces krejtësisht transparent dhe objektiv, në bashkëpunim të plotë me ekspertët e partnerit zbatues nga Ambasada Britanike, pasi kanë kaluar disa faza të intervistimit, Njazi Thaçi ka dalë kandidati me i suksesshëm në garë për pozitën e Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, duke marrë pikët maksimale në dy fazat e intervistimit”, thuhet në komunikatë.
Por, kush është Njazi Thaçi?
Njazi Thaçi, ishte i akuzuar për korrupsion brenda KEK-ut, për dhënien e një tenderi milionësh.
Kushëri i Hashim Thaçit, Njaziu, gjatë kohës sa drejtonte prokurimin në KEK, bashkë me katër zyrtarë të tjerë, akuzoheshin se i kanë dhanë një tender që vlente miliona Euro dy kompanive (SOLAR&ORTEX URO GROUP dhe Beli COM) përkundër se e dinin se ato kanë paraqitur autorizime të falsifikuara dhe dokumente të tjera relevante të falsifikuara dhe se nuk i kanë plotësuar kriteret për tenderin e KEK-ut.
Por, Thaçi, në janar të vitit të shkuar ishte liruar nga akuzat nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në të njëjtin rast, akuzoheshin edhe ish-zyrtari prokurimit në KEK, tash asamblist i PDK-së, Muhamet Selmani, ish- shefi i OSHP-së, Hysni Hoxha, zyrtari tjetër i prokurorimit Driton Pruthi, dhe Azem Duraku, ish-ekspert shqyrtues në OSHP.
Sipas aktakuzës që EULEX e kishte ngritur në vitin 2016, kompania “SOLAR&ORTEX URO GROUP” kishte ofertuar me dokumente të falsifikuara për një tender në KEK, në vitin 2011. Aty thuhej se e njëjta kompani ishte shpallur fituese e llotit të tretë të tenderit për furnizim me pjesë rezervë për makineri të rënda. Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në KRPP, vlera e përafërt e kontratës tre vjeçare ka qenë 750 mijë euro. Kurse, kompania “BELI Com”, në bazë të njoftimit të publikuar në KRPP, kishte ofertuar 360 mijë euro për furnizim me pjesë për një periudhë prej 3 vjetëve.
Thaçi akuzohej me tri pika të akuzës: veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme.