A ka nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare në arritjen e koalicionit? – Flasin nga LDK

A ka nevojë për ndërhyrjen ndërkombëtare në arritjen e koalicionit? – Flasin nga LDK

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka folur për mundësinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në realizimin e koalicionit mes partisë së tij dhe VV-së, shkruan Insajderi.

Mustafa për Gazetën Insajderi ka deklaruar se nuk ka nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare dhe se nuk është diskutuar asnjëherë në tryezën e diskutimeve një opsion i tillë.

“Nuk është diçka që e kemi diskutuar apo shqyrtuar më parë. Nuk e ka propozuar askush më parë por nuk besoj që kemi nevojë për ndërmjetësues ndërkombëtar, jemi dy parti që i kemi marrë mbi 400 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, besoj që mund ta arrijmë marrëveshjen përmes grupeve tona negociuese”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se asnjëra nga dy partitë, nuk e ka propozuar e as përmendur një gjë të tillë.

Ditë më parë, Ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, kanë shkuar në zyret qëndrore të LDK-së, dhe janë takuar me krerët e kësaj partie.

Insajderi ka tentuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me ndikimin e ndërkombëtarëve për arritjen e koalicionit mirëpo, zyrtarët e saj kanë qenë të paqasshëm.