“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi” – Deklarata e Kurtit për ‘lepurin’ që sot u takua me njeriun e VV-së

“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi” – Deklarata e Kurtit për ‘lepurin’ që sot u takua me njeriun e VV-së

Në prill të vitit 2019-të, Lëvizja Vetëvendosje, kishte nisur protestat kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezit, shkruan Gazeta Insajderi.

Asokohe, kjo parti kërkonte që të shkarkohej kryeprokurori Lumezi, të cilin e thërrisni ‘Lepur’. Madje pankarta të shumta paraqiteshin me thirrjen “Lepur ik, duam Republikë”.

Më 26 prill, përmes një njoftimi VV, pati thirrur protestë të Kryeprokurori i Shtetit, në të cilën thuhej se korrupsioni në Kosovë është përhapur si asnjëherë më parë.

“Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike”, thuhej në njoftimin për protestën e 26 prillit të vitit 2019.

“Ai nuk e ka bërë punën kundër kriminelëve. Nuk ka ngritur akuzat e duhura, as për mafiozët, as për dhunuesit seksualë, as për qeveritarët e korruptuar. Prandaj kriminelët falë tij janë të lirë, madje të fuqishëm”.

Kjo protestë  sipas Vetëvendosjes – partisë që tanimë është në Qeveri, ndonëse Qeveri në detyrë, pas votimit të mocionit të mosbesimit që në Kuvend shkoi nga partneri i tyre qeverisës LDK, kërkoi largimin e një kryeprokurori i cili merr 7 rroga por që punën e vetë nuk e bën si duhet.

“Mblidhemi për protestë paqësore e qytetare të premten, në orën 11:55, të kërkojmë largimin e kryeprokurorit që nuk e bën punën e vet, por i merr shtatë rroga” përfundonte njoftimi.

Përveç kësaj, shtatë muaj më parë, pak para se ta marr pushtetin, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, dha një deklaratë ku thoshte: “Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”.

Ai thoshte se kur të bëhej kryeministër, do të punojnë që ta shkarkojnë Lumezin. Ai madje bëri një lojë me fjalë që të tregonte se si Elez Blakaj do kthehej në Kosovë në momentin kur do shkarkohet Aleskandër Lumezi.

“Le të ecë Lumezi që të kthehet Elezi”, kishte thënë Kurti.

Në këtë rast, Kurti, fliste për prokurorin Elez Blakaj i cili ishte larguar nga Kosova si pasojë e ndërhyrjeve nga Aleksandër Lumezi, kryeprokurori aktual i Kosovës, në punën e tij.

“Basketbollisti Lumezi nuk reagoi për sulmin ndaj prokurorit Blakaj”, ka thënë Kurti. “191 kolegë të tij heshtën për sulmin e ish-kryeministrit ndaj Blakajt. Po të ishte Lumezi vetëm 5 minuta kryeprokuror ne do duhej të ishim tani në këto momente duke shikuar lajmet. Por ai nuk është kryeprokuror i shtetit, ai është vegël”, kishte vazhduar tutje Kurti.

Por, sot nuk mendoi si shefi i tij, njeriu i rëndësishëm i VV-së, Xhelal Sveçla.

Ai sot, u takua me ‘lepurin’ kryeprokurorin Aleksandër Lumezin.

Xhelal Sveçla i cili tashmë është në ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, u takua me kryeprokurorin, me të cilin bisedoi në lidhje me situatën me koronavirus dhe masat e ndërmarra për parandalimi e përhapjes së këtij virusi.

Me këtë rast, Sveçla kërkoi bashkëpunim nga organet e drejtësisë në kontekstin e marrjes së veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës, e të cilat janë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejme të Covid-19.

COVID-19, i bashkoi ‘lepurin’ dhe Sveçlën, ndonëse një vit më parë, ky i fundit bashkë me partinë e tij, donin largimin e Lumezit duke thirrur “Lepur ik, duam Republikë”./ Insajderi.com