LVV për vaksinat në Veri: S’pritet më mirë nga qeveria uzurpatore që i nënshtrohet Serbisë

Fitim Uka: Është e njëjta qeveri që nuk raportonte për të infektuarit nga komunat që banohen me shumicë serbe. Thjesht, shkurt e shqip, mirë që po shkojnë, se me ta marrin fund edhe skandalet e i kthehet dinjiteti shtetit.

LVV për vaksinat në Veri: S’pritet më mirë nga qeveria uzurpatore që i nënshtrohet Serbisë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për hyrjen e vaksinave anti-COVID nga Serbia në territorin e Kosovës, që dyshohet se arritja e këtyre vaksinave në vend është bërë nëpërmjet rrugëve ilegale.

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka, në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, thotë se ajo që ka ndodhur me vaksinim është “shkelje e sovranitetit të Kosovës”, derisa i lë faj Qeverisë aktuale, e cila po vazhdon të jetë në detyrë.

Madje, siç thotë ai, është e njëjta qeveri e cila nuk raportonte për të infektuarit nga komunat që banohen me shumicë serbe.

“Reagimi i qeverisë ilegale e jokushtetuese është skandaloz, sikurse edhe vetë akti. Por, ne nuk presim më mirë prej një qeverie që ka uzurpuar pushtetin dhe që iu ka nënshtruar Serbisë, që me heqjen e reciprocitetit. Është e njëjta qeveri që nuk raportonte për të infektuarit nga komunat që banohen me shumicë serbe. Thjesht, shkurt e shqip, mirë që po shkojnë, se me ta marrin fund edhe skandalet e i kthehet dinjiteti shtetit”, ka thënë Uka.

Redaksia ka kontaktuar edhe me zyrën e Qeverisë së Kosovës për t’i pyetur lidhur me masat që po merren nga ta sa i përket këtij rasti. Antigona Baxhaku, zëdhënëse e qeverisë, ka deklaruar se s’ka ende diçka të re, përveç asaj që ka thënë kryeministri Avdullah Hoti në një komunikatë për media.

Hoti pati lajmëruar se ekzekutivi – në bazë të informatave nga Dogana dhe Policia Kufitare – nuk ka të dhëna “se në rrugë legale janë lejuar të hynë këto vaksina”.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra. Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje”, thuhet tutje në shkrimin e publikuar nga vetë Hoti.

I menjëhershëm ishte në reagim edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, i cili kërkoi publikisht nga Kryeprokurori i Shtetit dhe ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Policisë së Kosovës që të fillojnë hetimet për hyrjen e vaksinave ilegale në veri.

Kësaj kërkese iu përgjigj Aleksandër Lumezi, i cili tha se do t’i nisin hetimet në rast se ka prova për futjen e këtyre vaksinave në formë jo legale në Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të fillojë me grumbullimin e informatave dhe të dhënave të duhura, për të vërtetuar pretendimet nëse vaksinat kanë hyrë nga Serbia në mënyrë të kundërligjshme. Nëse sigurojmë bazë dhe prova të mjaftueshme atëherë menjëherë do të fillojmë edhe me hetimet penale”, tha Lumezi.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë njoftuar se ka nisur grumbullimi i informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 në komunat veriore të Kosovës.

Prokurori kryesor i Mitrovicës, Shyqyri Syla, thotë se fillimisht janë duke u zhvilluar hetimet dhe mbledhja e informacioneve, për të konstatuar nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore ose jo.

“Po hetohet fillimisht hyrja e tyre, sepse nuk mund të themi asgjë pa e ditur se si kanë hyrë, si dhe kush janë personat që i kanë sjellë ato”, ka thënë Syla.

Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër Coronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.

Vetëm një ditë më pas, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, tha se “hyrja ilegale në Kosovë e disa produkteve farmaceutike nga Serbia përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”, të cilat janë arritur në kuadër të dialogut teknik, në vitin 2015.

“Serbia dhe zyrtarë të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme, kanë rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës dhe, rrjedhimisht, kanë nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel”, ka thënë Haradinaj Stublla në një postim në Facebook.

Duke komentuar këtë deklaratë të ministres, Vuçiq sot pyeti se “cila pikë e marrëveshjes ishte shkelur?”.

“A e ka pyetur dikush zonjën Haradinaj se çfarë është çështja? Njoftimet e tyre se ata po hyjnë në qendrat tona shëndetësore, se po vjedhin vaksinat tona janë përtej arsyes. Më tregoni se ku është shkelur marrëveshja e Brukselit? Serbia ka përmbushur të gjitha detyrimet nga marrëveshja, por ata nuk e kanë përmbushur një, themeloren, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, deklaroi ai.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb, ndërsa vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në fundjavë se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër Coronavirusit edhe në vende më të varfra. /Insajderi.com