Mashtroi konsumatorët me çmimet e produkteve – gjobitet kompania “ELKOS”

Ministria e Tregtisë ka gjobitur kompaninë "ELKOS", që udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi. Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy lloje produkteve të marketit "ETC" në Lipjan, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit.

Mashtroi konsumatorët me çmimet e produkteve – gjobitet kompania “ELKOS”

Me një mijë euro (1,000) gjobë është dënuar kompania “ELKOS Group”, pasi mashtroi konsumatorët dhe dëmtoi ata financiarisht. Kompania që është në pronësi të deputetit Ramiz Kelmendi është dënuar për mashtrimin që ka realizuar njëri nga marketet në pronësi të saj, “ETC” në Lipjan.

Vendimin për gjobitje të “ELKOS Group” e ka marrë Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, më 10 janar të këtij viti.

Inspektorati i Tregut ka gjetur se dy lloje produkteve të marketit “ETC” në Lipjan, kanë pasur mospërputhje mes çmimeve të ekspozuara në rafte, me çmimet e të njëjtave produkte tek arka e marketit.

Bëhet fjalë për dy produktet ushqimore: kaçkavall të prodhuar nga “Triolino Prima” dhe qaj të prodhuar nga kompania “Emona”.

Kaçkavalli “Triolino Prima” kishte çmimin 0.69 euro në raft, por klientët janë mashtruar tek arka, kur janë detyruar të paguajnë çmimin e këtij produkti të djathit në vlerë prej 0.75 euro. Konsumatorët kanë paguar 6 cent më shumë, se sa çmimi i paraqitur në raft.

Ndërkaq, konsumatorët e marketit të “ETC” në Lipjan, kanë paguar 4 euro e 99 cent për produktin e qajit “Gold Emona”, edhe pse ky produkt kishte të vendosur çmimin prej 4 euro e 75 centëve në raft. Në arkën fiskale konsumatorët kanë paguar 0.24 euro më shumë për qajin “Emona”.

“Prandaj një veprim i tillë është në kundërshtim neni 9. Paragrafi 3 të Ligjit Nr, 04/L-121 ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’ 76 pika 1.11 e të po të njëjtit ligj”, thuhet në arsyetimin e Inspektoratit të Tregut, të cilin e ka siguruar Insajderi.


Vendimi i Inspektoratit të Tregut për gjobitjen e kompanisë “ELKOS”

Kompania e cila udhëhiqet nga deputeti i Lidhjes Demokratike, Ramiz Kelmendi, është e detyruar që shumën në vlerë prej 1 mijë eurove ta paguajë brenda tetë ditëve prej datës kur e ka pranuar aktvendimin.

“Me gjobë në shumë prej 1000.0 euro (një mijë) të cilën gjobë është i obliguar ta paguan në afatin 8 (tetë) ditësh nga dita e pranimit të Aktvendimit”, ka thënë Inspektorati i Tregut, raporton Insajderi.

Insajderi i ka dërguar pyetje grupit “ELKOS” para dy jave lidhur me këtë çështje, por gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për Insajderin se deri më tani ka shqiptuar 19 gjoba ndaj bizneseve të cilat kanë mashtruar klientët e tyre me çmime.

“Inspektorati i Tregut i MTI-së është njëri prej faktorëve kyç në mbrojtjen e konsumatorëve, kështu që inspektorët qendrorë të MTI-së në periudhën e fundit kanë shqiptuar 19 gjoba”, ka thënë MTI për Insajderin.

Ministria nuk ka dashur të jap detaje, teksa ka thënë se “Inspektorati është i obliguar që t’i ruajë të dhënat dhe informatat sipas parimit të besueshmërisë dhe vetëm atëherë kur ekziston të rreziku serioz për jetën dhe shëndetin e njerëzve”. /Insajderi.com

Kompania e deputetit të LDK-së akuzohet se vodhi rrymën