Pacientët raportuan dhimbje koke, encefalopati, marrje mendsh, ndjesi të dëmtuar të shijes dhe humbje të nuhatjes.
Ndërsa problemet e frymëmarrjes janë një simptomë e mirë-dokumentuar e Coronavirusit, studiuesit kanë zbuluar se mbi 80% e pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 përjetojnë gjithashtu një lloj manifestimi neurologjik, shkruan Fox Neës, transmeton Insajderi.
Gjatë ekzaminimit të 509 pacientëve të pranuar në një rrjet spitalor në Chicago, studiuesit zbuluan se 419 prej tyre paraqitën një problem neurologjik në një moment gjatë rrjedhës së infeksionit të tyre me COVID-19.
“Manifestimet më të shpeshta neurologjike ishin mialgji, dhimbje koke, encefalopati, marrje mendsh, humbje të shijes dhe nuhatjes”, shkruajnë autorët në studimin e tyre, i cili u botua të hënën në “Annals of Neurology Clinical and Translational”.
“Goditjet në tru, çrregullimet e lëvizjes, defektet motorike dhe shqisore, ataksia dhe krizat ishin të pazakonta”, theksojnë ata.
Studiuesit vunë në dukje se pacientët me simptoma neurologjike përjetuan qëndrim më të gjatë në spital sesa ata pa këto simptoma, por rezultatet e shkarkimit nga spitali dhe vdekshmëria nuk ishin shumë të ndryshme midis atyre me dhe pa simptoma. Ata gjithashtu zbuluan se ata që përjetonin simptoma neurologjike u takonin moshave më të reja. /Insajderi.com