Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi të premten se zëvendësdrejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, duhet të kërkojë falje për gjuhën fyese dhe të papranueshme të përdorur ndaj deputetet së Listës Guxo, Doarsa Kica-Xhelili, njofton Insajderi.
Sipas saj, Shala duhet të kërkojë falje në radhë të parë ndaj Kica-Xhelilit, e pastaj ndaj të gjitha grave e vajzave që punojnë në RTK, “përfshirë edhe bashkëshorten e tij, e cila është njëherësh edhe kolegia e tij”.
“Asnjë ofendim dhe gjuhë fyese nuk mund të ndalë reformën në vend. Asnjë linçim dhe intimidim, nuk e zmbraps vullnetin për të vazhduar proceset përparuese, në të kundërtën, në këto situata, ne vetëm e kuptojmë se sa e domosdoshme dhe sa e vonuar është reforma për vendin. Ata të cilët refuzojnë ta kuptojnë këtë, do të mbesin të dëshpëruar dhe turpëruar për veten e vet”, shkroi Kusari-Lila në profilin e saj në Facebook.