Mos besoni këto të pavërteta për vaksinën anti-COVID!

Mos besoni këto të pavërteta për vaksinën anti-COVID!
Burimi i fotografisë: Getty Images

Nga shqetësimet e pabazuara në lidhje me reaksionet e ashpra pas vaksinës e deri të konfuzioni se si funksionon në të vërtetë ajo, shumë dezinformata po vërtiten në rrjete sociale.

Huffington Post ka kontaktuar disa ekspertë për të sqaruar disa nga mitet më të mëdha që njerëzit po i besojnë, njofton Insajderi.

Miti #1. Vaksinat për COVID-19 u krijuan shpejt e shpejt dhe kështu nuk ka gjasë që ato të jenë të sigurta.

Shpejtësia e krijimit të vaksinave ishte goxha e pashembullt, por kjo nuk do të thotë që studiuesit anashkaluan hapa të rëndësishëm.

“Këto vaksina nuk u nxituan gjatë zhvillimit”, tha Linda Yancey, një eksperte e sëmundjeve infektive në Memorial Hermann Health System në Texas.

Në vend të kësaj, prodhuesit e ilaçeve dhe qeveria thjesht hoqën shumë nga jo-efikasitetet burokratike që zakonisht ngadalësojnë procesin, shpjegoi ajo.

Gjithashtu, prodhuesit e ilaçeve ishin në gjendje të linin gjithçka tjetër për të cilën po punonin dhe t’i vinin të gjithë shkencëtarët e tyre në këtë detyrë gjatë gjithë kohës, shtoi Yancey.

Miti #2. Mund të infektoheni me COVID-19 nga vaksinimii.

Asnjëra nga vaksinat që janë miratuar për përdorim në ShBA nuk përmbajnë virusin e gjallë që shkakton COVID-19.

Që do të thotë se thjesht nuk është e mundur të sëmuresh me COVID-19 si rezultat.

Ky është një keqkuptim i vazhdueshëm që ndjek edhe vaksinat e tjera, si ajo e gripit. Shumë njerëz nuk ndihen mirë pasi janë vaksinuar për gripin dhe besojnë se e janë sëmurë. Por vaksina e gripit në të vërtetë është e krijuar nga viruse të inaktivuar ose të “vdekur”.

Miti #3. Vaksina mund të ndryshojë ADN-në tonë.

Vaksinat e aprovuara të Coronavirusit përdorin ARN transportuese. Kjo teknologji mëson qelizat e trupit për të bërë një pjesë të padëmshme të “proteinës spike” që gjendet në sipërfaqen e virusit SARS-CoV-2.

Kjo shkakton një përgjigje imune që prodhon antitrupa, duke mbrojtur nga infeksioni COVID-19.

Por vaksinat e ARN-së nuk ndër-veprojnë me ADN-në e një personi. ADN-ja jonë mbrohet nga një membranë që parandalon kalimin e gjërave.

Miti #4. Vaksinat e COVID-19 shkaktojnë infertilitet.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon që gratë që janë shtatzënë ose që ushqejnë fëmijë me gji duhet të bëjnë vaksinën COVID-19, megjithëse nuk janë bërë ende prova specifike në atë popullatë.

E njëjta gjë vlen edhe për gratë që po mendojnë të mbeten shtatzënë. Ekspertët theksojnë se nuk ka absolutisht asnjë provë se vaksinimi shkakton infertilitet. Kjo është një gënjeshtër e përhapur shpesh nga aktivistët kundër vaksinimit në lidhje me vaksina të ndryshme, tha Yancey.

Në fakt, vaksinimi kundër COVID-19 mund të jetë vërtet i rëndësishëm për nënat dhe foshnjat e tyre.

“Mendoj se një nga gjërat për të cilat nuk po flitet është përfitimi i mundshëm për fetuset dhe foshnjat”, tha Linda Eckert, një gjinekologe dhe eksperte e sëmundjeve infektive.

“Ka antitrupa që ne parashikojmë të kalojnë përmes gjakut të kordonit, tek foshnja dhe të ofrojnë një mbrojtje. Dhe gjithashtu që duhet të kalojë përmes qumështit të gjirit dhe të ofrojë mbrojtje”.

Miti #5. Nuk ke nevojë të vaksinohesh nëse ke kaluar COVID-in.

CDC thotë se kushdo që ka pasur COVID-19 dhe është rikuperuar (dhe përndryshe kualifikohet për vaksinim) duhet t’i ofrohet vaksina – megjithëse agjencia shton se ri-infektimi nuk ka gjasa të ndodhë në 90 ditët e para, kështu që mund të ketë kuptim të presësh disa muaj.

Pjesërisht, kjo është për shkak se ka ende shumë pyetje në lidhje me sa zgjat imuniteti natyror, si dhe sa i fortë është.

Por provat tregojnë se vaksinat janë shumë të mira në nxitjen e një përgjigje të rëndësishme imune.

Miti #6. Në momentin që vaksinohesh nuk je më bartës i virusit.

Të dy vaksinat COVID-19 kërkojnë kohë për të qenë plotësisht efektive, sepse kërkojnë dy doza të ndara: 21 ditë midis dozave për vaksinën Pfizer dhe 28 ditë për Moderna.

Edhe pas shiringës së dytë përforcuese, imuniteti i plotë nuk është i menjëhershëm.

Provat matën efikasitetin e vaksinës Pfizer në parandalimin e përhapjes simptomatike shtatë ditë pas dozës së dytë dhe 14 ditë pas dozës së dytë të vaksinës Moderna.

Prandaj, është thelbësore që masat e shëndetit publik si mbajtja e maskës, larja e duarve dhe distancimi shoqëror të respektohen edhe pas vaksinimit. /Insajderi.com