Mos e ke provoku? – Kur viktima e ndanë fajin me ngacmuesin seksual

Mos e ke provoku? – Kur viktima e ndanë fajin me ngacmuesin seksual

Sikur Teuta Pustina-Krasniqi t’i kishte këshilluar studentet që të mos vishen  në mënyrë provokative, në një storje televizive që do të fliste për  ceremoni të diplomimit sepse të gjithë do të vishen njejtë e kësisoj iu shkon huq “provokimi” ndoshta edhe do të pranohej arsyetimi i saj “se është nxjerrë nga konteksti”.

Por këshillimi i grave që të mos vishen në mënyrë provokative në një storje që flet për ngacmimet seksuale dhe tentimi i shpjegimit të “ndikimit psikologjik”  nga veshjet provokative tek ngacmuesit që shumica në Kosovë janë burra, është një fajësim brutal i viktimës, rrjedhimisht profesoreshave, studentet apo punëtoret e adminsitratës.

E, fakti që një këshillë të tillë në një storje që flet për ngacmimet seksuale  në Universitetin e Prishtinës e jep një Prorektore dhe një anëtare e Agjencisë shtetërore për Barazi Gjinore, e bënë edhe më skandaloze deklaratën. Sepse ka të bëjë me logjikën dhe mentalitetin e një njeriu në pozita të larta që edhe harton politika shtetërore për barazi gjinore.

Prof. Ass.Dr. Teuta Pustina-Krasniqi është Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Unviersitetit të Prishtinës dhe anëtare e Agjencisë për Barazi Gjinore. Në të dyja këto institucione ajo ka përgjegjësi të cilat nuk mund të mbahen dhe të kenë sukeses nëse zhvillohen nga një mendësi e tillë që “ngacmimet seksuale” i vendos në kontekst të veshjes së një gjinie.

Ka me dhjetra arsye dhe dëshmi që mund ta faktojnë një gjë të tillë në rastin e Pustina-Krasniqit, e cila fatkeqësisht nuk është e vetme në këtë valle të prapambetur të atyre që luftojnë ngacmimet seksuale e hartojnë politika për barazi gjinore në Kosovë, Kjo mendësi ka prodhuar një realitet të tillë ku ngacmimet janë normalizuar dhe arsyetohen.

Pustina-Krasniqi i reagoi Insajderit përmes një emaili që ua kishte dërguar mediave duke na akuzuar për “heqje nga konteksti” të deklaratë së saj dhënë në emisionin “Frontal” në TV7 duke e  bashkangjitur edhe videon e këtij emisioni.

Shfajësimi sipërfaqësor i prorektores për deklaratën mbi “veshjet dhe ngacmimet seksuale”

Këtu edhe lind problemi. Pustina-Krasniqi nuk i reagon emisionit që e ka publikuar deklaratën e saj por e ofron si provë, sepse në fakt ajo dëshiron që deklarata të mbetet si në video. Pra jo e problematizuar si qasje ndaj temës së ngacmimeve seksuale.  Pustina-Krasniqi i reagon Insajderit sepse e kemi hequr deklaratën e saj nga konteksti i storjes që e lë si “deklaratë normale” për ta vënë në pah një qasje problematike dhe tejet të dëmshme për mentalitetin e një gruaje në dy pozita të larta shtetërore, njëra e lidhur direkt me barazinë gjinore.

Në “provën” që Pustina-Krasniqi ka ofruar për t’u shfajësuar për qasjen e saj seksiste, ajo në fakt vërteton shkrimin e Insajderit. Fillimisht brenda deklaratës ku bënë apel që të “mos provokohet me veshje” duke përdorur edhe një fakt shkencor që nuk është as i fushës së saj profesionale.

Pustina-Krasniqi si profesoreshë në Fakultetin e Stomatologjisë flet për “disa efekte negative” që paskan “veshjet provokative” në punën e Universitetit, sepse aty bëhet punë serioze, shkencore…

Më pas thotë  se “megjithëse nuk arsyetohen ngacmimet seksuale” studentet duhet të kenë kujdes sesi vishen sepse na qenkan pjesë e një “institucioni serioz ku kryhen ushtrime e ligjërata nga profesorë dhe asistentë”.

Fakti që Pustina-Krasniqi duke folur për ngacmimet seksuale bënë një lutje të tillë, tregon për një mentalitet tradicional ku gratë janë fajësuar për ngacmimet e deri tek dhuna ndaj tyre, edhe në rastet kur janë varë, se e kanë “lyp”.

Problemi është në vazhdimësinë e kësaj qasje ku një gjini duhet të ketë kujdes të madh që të mos nxisë ngacmimin e gjinisë tjetër. Ndaj ngacmuesit duhet të kemi kujdes që të mos t’ia zgjojmë imagjinatën seksuale që mund t’i nxitet nga veshja e një studenteje.

Prorektores që tha se studentet me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale i kërkohet dorëheqja

Egzistimi i një kodi të veshjes në UP, është i mjaftueshëm që studentet e studentët bashkë me stafin akademik e adminsitrativ ta kuptojnë atë dhe nëse dikush e thyen atë kod, të raportohet si shkelje, por asesi nuk mund të arsyetohet shkelja e kodit të veshjes si arsye e mundshme që mund të nxisë një ngacmim seksual.

Nëse një studente “vishet në mënyrë provokative” apo vjen edhe me bikini apo nudo në Fakultet, ajo duhet raportohet si shkelje e kodit dhe të merren masat që parashihen konform atij Kodi të Etikës  në UP, e jo të ngacmohet seksualisht. Sipas logjikës së Pustina-Krasniqit me veshje, ajo potencialisht mund të shërbejë si shkas për ngacmime seksuale.

Në reagimin e saj dërguar mediave, Pustina-Krasniqi thotë se “nuk ka përmendur vetëm gjininë femërore, por edhe atë mashkullore, sepse ky është një fenomen që dëmton imazhin e femrës”. Kjo nuk është  e vërtetë.

Prorektorja përmendë “gjininë mashkullore” vetëm në aspektin se ata mund të ndjehen të provokuar nga veshjet e studenteve të cilat sipas saj duhet ta kenë parasysh se në UP  “kryhen ushtrime dhe ligjërata nga profesorë dhe asistentë prandaj edhe duhet ta respektojnë kodin e veshjes”. Pra burrat që punojnë në UP na qenkan serioz dhe gratë duhet të jenë ato që duhet respektuar kodin e veshjes sepse mund të ngjallin provokime, e rrjedhimisht mund edhe të ngacmohen.

Normal, “ngacmimi nuk arsyetohet”, por mund të ndodhë nëse vishesh në mënyrë provokative.  Kjo është logjika e Prorektores dhe anëtarës së Agjencisë shtetërore për Barazi Gjinore. E me këtë logjikë kuptohet edhe pse nuk kanë pasur sukses miliona eurot e shpenzuara në kampanja për barazi gjinore në shumë projekte të këtyre 17 viteve, me disa prej të cilave në reagimin e saj, Pustina-Krasniqi krenohet si një aktiviste e feminizmit.

Pustina-Krasniqi në reagimin e saj tregon se ka kryer “aktivitete të ndryshme në UP rreth kësaj çështjeje kaq sensitive si  inicimi për të përpiluar pyetësor rreth barazisë gjinore në UP si dhe lansimi i tij”.

Më pas vazhdon të tregojë se ka aplikuar për një projekt që ka të bëjë pikërisht me Barazinë Gjinore në UP dhe ka organizuar konferencën me titull ˝Gratë në Universitetin e Prishtinës, Mundësitë , Përparësitë, E Ardhmja˝ me rastin e 8 Marsit në UP, ku Pustina-Krasniqi thotë se ka bërë “të pamundurën që ky event të jetë sa më dinjitoz, e që kishte për qëllim reflektimin dhe bartjen e mesazhit tek bota akademike, si dhe tek gjeneratat e reja, për përpjekjet, arritjet dhe sfidat e grave në zhvillimin akademik”.

“Të gjitha këto janë tregues i mjaftueshëm se një pjesë dërmuese të karrierës sime akademike, sigurisht se ja kam dedikuar avancimit të pozitës së gjinisë femërore”, thotë Pustina-Krasniqi në reagimin e saj ndaj shkrimit të Insajderit.

Në fakt, krejt këto projekte të përmendura nga Pustina-Krasniqi janë projekte të një mendësie të 10 viteve të fundit, ku janë financuar shumë projekte, si kampanja e konferenca, por ato nuk kanë mundur as të hapin një debat të shëndoshë për barazi gjinore dhe kanë shtypur debatin për ngacmime seksuale. Janë thjesht projekte. Projekte të OJQ-ve në Kosovë. Nuk ka nevojë për shpjegim shtesë sa i përket “projekteve” të Pustina-Krasniqit.

Sepse “projektet” për barazi gjinore mbesin vetëm “projekte” kur nuk luftohet mentaliteti i prapambetur dhe seksist në shoqëri sa i përket barazisë gjinore e lërë më për ngacmimet seksuale që në Kosovë konsiderohet si normale.

Prandaj edhe Pustina-Krasniqi e thotë me siguri të lartë se në UP “ka dy vjet që nuk ka ndodhur asnjë ngacmim seksual”. Edhe sikur të mos ketë asnjë rast të regjistruar të ngacmimit seksual, është krejtësisht e papranueshme që të injorosh faktin sesi ngacmimet janë një gjë normale në UP.  Prej ngacmimeve tek studentët që lëshojnë fjalë e fishkëllima nëpër korrdiore ndaj një studenteje e deri tek qasja e profesorëve ndaj studenteve që nuk janë raste që mund të dënohën, sepse duhet ndërruar mendësia.

Mendësia aktuale e shoqërisë kosovare që e vë në pah edhe Prorektorja, në rast të raportimit të një ngacmimi, mund ta shtrojë edhe pyetjen ndaj viktimës: Mos rastësisht e ke provoku?