Nazim Rahimi tregon aktvendimin ku hidhet poshtë aktakuza ndaj tij (Dokument)

Nazim Rahimi tregon aktvendimin ku hidhet poshtë aktakuza ndaj tij (Dokument)

Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i propozuar nga Qeveria e Kosovës, Nazim Rahimi, ka dokumentuar se kallëzimi penal ndaj tij, i ngritur më datë 31 tetor të vitit 2018, është hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Rahimi ka ndarë me Gazetën Online Insajderi, vendimin e prokurorisë të marrë më datë 30 prill të vitit 2019, ku Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj prokurorie, me Prokuror të Shtetit, Arian Gashin, kanë hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga Shqiprim Pula – anëtar i Bordit të ARKEP ndaj të dyshuarit Rahimi, derisa ishte udhëheqës i Sektorit Postar pranë këtij institucioni.

Ndaj Rahimit ishte ngritur një kallëzim penal në tetor të vitit 2018 për “Keqpërdorim të detyrës Zyrtare”, “Konflikt interesi” dhe për “Falsifikim të dokumenteve”.

Sot Kuvendi i Kosovës në seancën plenare që po vazhdon të mbahet, ka votuar që të diskutohet për raportet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për emërimin e Bordit të ri të ARKEP.

Për futjen në rend të ditës kanë votuar 63 deputetë.

“Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim konstatoj se Kuvendi miraton shmangien nga afati procedural për shqyrtimin e raportit vjetor të punës së AKP-së, të shkarkohet Bordi i AKP-së dhe pika e tretë që Qeveria t’i propozojë Kuvendit emërimin e Bordit të ri”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Për “urgjencën” e ndryshimit të rendit të ditës në seancën e sotme, është deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, i cili ka përmendur rastin e këtij precedenti penal.

Derisa mori fjalën në këtë seancë, Shala tha se ka gabuar që informacionin e redaksisë të drejtuar edhe te ai si Kryetar i Komisionit për Ekonomi, e ka ndarë me deputetët e komisionit, meqë kjo ka bërë që sot të futet në rend dite emërimi dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të këtij institucioni.

“Urgjenca për të ndryshuar rendin e ditës pa ardhur raportet zyrtare normale të Komisionit për Ekonomi për ARKEP-in po ju them publikisht kemi kaluar në normalitet në Komision. E falënderoj shumë Insajderi.com që na ka dërguar një email zyrtare dhe na ka kërkuar që të kem parasysh një procedim penal që e ka i propozuari i Qeverisë për kryetar të Bordit të ARKEP-it dhe ndoshta kam bërë gabim që unë ua kam shpërndarë deputetëve të komisionit, ashtu siç më ka ardhur e kam përcjellë, e kemi diskutuar, e kanë mundur me vota Komisionin dhe e kanë procedu dhe unë kam marr vendim që të njëjtën t’ua procedojë juve”, ka thënë Shala.

“Ky shqetësim që unë e kam ndarë informacionin e mediave me anëtarët e komisionit bën që sot në procedurë të parregullt të futet në rend dite emërimi dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të ARKEP-it”. 

Lidhur me këtë kallëzim penal, pas raportimit të Insajderit, vetë Rahimi ka sqaruar rastin duke thënë se kjo ka ndodhur për arsye personale dhe në formë hakmarrje nga një ish-koleg i tij. /Insajderi.com