Në kërkim të postit – Ramiz Kelmendi ndërron tri parti për dy vite

Për dy vite, biznesmeni pejan Ramiz Kelmendi ka ndërruar tri parti. Sonte ai ka aderuar në LDK. Synimi është i njëjtë: posti i zëvendëskryeministrit ose një post që lidhet me “planin e tij për zhvillim ekonomik”. Por aderimi i Kelmendit në LDK mund të mos ia sjellë këtë post. Disa ditë më parë, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, paralajmëroi se vendi mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Në kërkim të postit – Ramiz Kelmendi ndërron tri parti për dy vite

Dy vite më parë, biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi besonte fuqishëm se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ishte kryeministër i Kosovës.

Kishte paralajmëruar plane të mëdha për postin që e mendonte për vete. Diçka për zhvillim ekonomik.

Kishte arritur të bëhej edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

Kishte bërë shumë për Haradinajn edhe gjatë kohës kur ai përballej me drejtësinë në Tribunalin e Hagës.

“Për lirimin nga Haga kanë qenë diku rreth 400 mijë euro që i kam dhënë për zotin Haradinaj dhe nuk i bie pishman”, kishte thënë Kelmendi, raporton Insajderi.

Kështu besonte deri me 5 maj 2014, kur Haradinajt tashmë i ishin shuar shpresat që të marrë drejtimin e Qeverisë.

Atë ditë maji ai kishte dhënë dorëheqje, duke e akuzuar AAK-në se “planin e tij për zhvillim ekonomik, AAK-ja e saktëisht Ardian Gjini as nuk din ta nisë e lëre të zbatojë”.

Nuk kishte dhënë arsye më shumë.

Haradinaj ishte pyetur për largimin e tij në një konferencë shtypi. Nuk kishte preferuar ta përmendte me emër por akuzat drejtoheshin  kundër veprimeve që bënte Kelmendi.

“Këtu po flasim për cilësi. Është pak për habi situata kur aderojnë në parti politike po ata të njëjtit që i kanë thënë 1 milion të zeza për atë parti deri në ditën kur aderojnë. Kjo është pak për çudi. Mund të flitet për një moral të dyfishtë ose për dyfytyrësi”, kishte thënë Haradinaj.

kelmendi-aak

Pesë ditë më vonë, me 10 maj 2014, Kelmendi aderoi në një parti tjetër. Në atë të Hashim Thaçit aso kohe kryeministër në detyrë, që tash është president.

Thaçi kishte prezantuar ish-deputetin e AAK-së, Ramiz Kelmendi, si prurje të re në partinë e tij.

Madje Thaçi kishte thënë se Ramiz Kelmendi po i bashkohet listës fituese të 8 qershorit (data e zgjedhjeve parlamentare v.j) dhe “Misionit të ri” për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

E Kelmendi që gjatë gjithë fushatës e kishte prezantuar planin e tij për zhvillim ekonomik, kishte thënë me të aderuar në PDK se aty ka parë që në këtë parti do ta realizojë planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.

As kjo nuk ishte ndodhur.

Kelmendi që trumbetonte idenë se do të bëhej ministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Thaçit nuk e kishte arritur.

Pas krizës politike kryeministër ishte bërë Isa Mustafa e ai kishte mbetur jashtë kabinetit qeveritar.

Kishte qëndruar në PDK duke kërkuar gjithandej nëpërmjet intervistave në media se nëse nuk do të bëhej zëvendëskryeministër i Qeverisë do të dilte nga Partia Demokratike e Kosovës.

Thaçi që e kishte sjellë në PDK Kelmendin, ishte bërë president ndërsa kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli nuk e shihte si person që do të merrte këtë post.

“Dorëheqja ime vie pasi që vizioni im për zhvillim ekonomik të Kosovës mu pamundësua”, ishte arsyetuar Klemendi pas disa deklaratave “po bëhem zëvendëskryeministër, s’po bëhem zëvendëskryeministër”.

Kjo kishte ndodhur para 5 muajve.

kelmendi-pdk

Gjatë këtyre muajve ai ishte takuar sërish me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Kelmendi thoshte se Haradinaj i kishte ofruar vend në parti, por që nuk donte të ngutej.

Por kur vendi i zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, pas largimit të Kujtim Shalës, ministër i Kulturës, ishte vakant, Kelmendi iu rikthye tendencës së tij për postin e dëshiruar.

Të martën e 25 tetorit ka aderuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, drejtuar nga Isa Mustafa, kryeministër i vendit.

Synimi është i njëjtë: posti i zëvendëskryeministrit ose një post që lidhet me “planin e tij për zhvillim ekonomik”.

Por aderimi i Kelmendit në LDK mund të mos ia sjellë këtë post.

Disa ditë më parë, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, paralajmëroi se vendi mund të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Kësisoj aderimi i tretë partiak i Kelemndit brenda dy viteve mund të shkoj huq, nëse vendi shkon në zgjedhje, dhe LDK-ja nuk është se llogaritet favorite për t’i fituar zgjedhjet./Insajderi.com

Ramiz Kelmendi- Kërcënimi për postin e adhurueshëm dhe akuzat për dyfytyrësi