Nënkoloneli i Policisë, Agon Nezaj gënjeu publikisht për hetimet e prokurorisë mbi lojërat e fatit

Nënkoloneli i Policisë, Agon Nezaj gënjeu publikisht për hetimet e prokurorisë mbi lojërat e fatit
Burimi i fotografisë: Agron Nezaj, majtas në fotografi - në konferencë së bashku me zëdhënësin Baki Kelanin (mes) dhe Bashkim Spahiun (djathtas)

Dy ditë para se Qeveria e Kosovës të miratonte Projekt-Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit më 22 mars, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nisi hetime ndaj pronarëve të lojërave të fatit, mirëpo për rreth dy javë ditë ekzistonte një version i rrejshëm lidhur me nisjen e hetimeve ndaj bizneseve të lojërave të fatit.

Ky version i rrejshëm ishte dhënë publikisht nga nënkoloneli i Divizionit Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Agron Nezaj, në një konferencë të jashtëzakonshme më 22 mars ku ishin paraqitur zyrtarë të Policisë, Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.

Pasi në të njëjtën ditë u bastisën dhe u mbyllën qindra lokale të lojërave të fatit, Nezaj doli në konferencë për shtyp për të dhënë detaje për aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Doganës dhe ATK-së. Megjithatë, në konferencë, Nezaj gënjeu publikisht.

Nënkoloneli policor dha informata të pasakta lidhur me nisjen e hetimeve ndaj bizneseve të lojërave të fatit. Deklaroi se inicimi i hetimeve rreth lojërave të fatit kishte nisur në fund të vitit 2018.

“Policia e Kosovës, muaj më parë, apo thënë shkurt në fund të vitit 2018 ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Inicimi i këtyre hetimeve është bërë nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, u shpreh Nezaj, teksa shpalosi të tjera detaje lidhur me aksionin e përbashkët të një sërë institucionesh kosovare.

Por, versioni i Nezajt lidhur me periudhën e inicimit të hetimeve për lojërat e fatit ishte i rrejshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk i ka nisur hetimet në periudhën e fund vitit të kaluar, por vetëm dy ditë para se të bastiseshin qindra lokale të lojërave të fatit, kanë konfirmuar për Insajderin nga Prokuroria e Shtetit.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu i ka thënë Insajderit se bastisja e qindra lokaleve të lojërave të fatit më 22 mars, ka ardhur me urdhër të Gjykatës në të njëjtën ditë kur ishin bastisur lokalet – më 22 mars.

“Më 22.03.2019, sipas kërkesës së PSRK nga ana e Gjyqtarit të procedurës paraprake, është lëshuar urdhër për kontroll të lokaleve të këtyre bizneseve me ç’rast edhe Policia e Kosovës së bashku me prestarët e Doganave të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë realizuar urdhër kontrollin me ç’rast edhe nga zyrtarët e ATK-së, është bërë mbyllja – shiritimi i lokaleve në fjalë”, ka thënë Lutfiu në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Lutfiu ka saktësuar se hetimet ndaj pronarëve të lojërave të fatit kanë nisur vetëm dy ditë para mbledhjes së qeverisë, ku u miratua Projektligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 20.03.2019, ka marr aktvendim për fillim të hetimeve ndaj 17 personave të dyshuar, pronar të bizneseve të lojërave të fatit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer veprat penale: – Organizimi  i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm; – Shmangia nga Tatimi dhe – Kontrabandimi i Mallrave”, ka thënë Lutfiu.

Insajderi raportoi të mërkurën për padijeninë e Administratës Tatimore të Kosovës në lidhje me aksionin e 22 marsit, ku ishte i përfshirë edhe ky institucion.

ATK nuk e di pse i mbylli qindra biznese të lojërave të fatit

Rreth dy javë pas këtij aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës, ATK-së dhe Prokurorisë së Shtetit, ATK nuk e pati asnjë shpjegim se prej nga erdhi urdhri për bastisjen e lokaleve të lojërave të fatit.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk ka qenë në gjendje të japë sqarim se me çfarë urdhri janë mbyllur qindra biznese të lojërave të fatit. Në një përgjigje për Insajderin, ATK ia ka faturuar Policisë së Kosovës të gjithë aksionin e 22 marsit, ndonëse edhe 161 zyrtarë të Administratës Tatimore kishin marrë pjesë në aksion.

“Aksioni i datës 22 Mars 2019 ka qenë aksion i Policisë së Kosoves, dhe për çdo informacion rreth këtij aksioni mund të adresoheni ne polici. ATK vetëm ka mbështetur këtë aksion”, thuhet në një përgjigje me shkrim të ATK-së për Gazetën Online Insajderi.

Operacioni i 22 marsit ka përfshirë mbi 1 mijë zyrtarë të ndryshëm qoftë të policisë së Kosovës, Doganës dhe ATK-së.

Konkretisht 950 zyrtarë policorë, 161 zyrtarë të ATK-së dhe 77 të Doganës së Kosovës morën pjesë në këtë aksion. U mbyllën 35 lokale lojëra të fatit, ndërsa 118 aparate janë konfiskuar nga dogana. /Insajderi.com