Ndonëse aktakuza ndaj Nijazi Kryeziu lidhur me rastin 'Pronto' u hodh poshtë të premten, ai tash do të përballet me një aktakuzë tjetër nën dyshimin për korrupsion. Për të njëjtin rast akuzohet edhe kreu i Infrakosit, Agron Thaçi, një tjetër protagonist i skandalit të përgjimeve.
Disa orë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i liroi nga akuzat 11 persona për aferën e përgjimeve ‘Pronto’, dy protagonistë të këtij skandali: Agron Thaçi dhe Nijazi Kryeziu, morën lajmin për një aktakuzë të ngritur ndaj tyre nën dyshimet për korrupsion.
Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj Agronit Thaçit, kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes së Infrastrukturës së Hekurudhës së Kosovës (Infrakos) dhe Nijazi Kryeziut, ish-drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren.
Nijazi Thaçi, protagonist i ‘Dosjes së Shefave’, akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me këtë rast.
Mirëpo, teksa kjo aktakuzë ndaj tij u hodh poshtë të premten paradite, disa orë më vonë – pasditen e së premtes – Prokuroria Themelore në Prizren i ngriti ish-këshilltarit të Kadri Veselit një aktakuzë për të njëjtën vepër penale, por që lidhet me periudhën kur ai kishte qenë drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren.
Kryeziu dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për dikë tjetër (pronarëve të objekteve të ndërtuara), kanë shkaktuar dëme në kurriz të kompanisë që menagjon me Hekurudhat e Kosovës “Infrakos”.
Bashkë me Kryeziun, për të njëjtin rast dhe për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Agron Thaçi, një tjetër protagonist i skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”.
Sipas Prokurorisë, Thaçi dyshohet se gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar'”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Agron Thaçi akuzohet se nuk ka vepruar sipas Ligjit, duke i shkaktuar dëme ndërmarrjes publike Infrakos.
“Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale. Me çka ka në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar'”, njofton Prokuroria.
Thaçi dhe Kryeziu në ‘Dosjen e Shefave’
Të publikuara në vitin 2016 nga Insajderi, seria e përgjimeve ‘Dosja e Shefave’ dëshmoi për kontrollin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mbi institucionet e pavarura të vendit.
Seria që përmbante telefonata të përgjuara të Adem Grabovcit me zyrtarë të lartë të PDK-së, përfshirë këtu edhe kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi, dëshmonte edhe ndikimin e këtyre njerëzve në institucionet publike të vendit përmes punësimeve të njerëzve të afërt me ta.
Ndikim në punësime, sipas “Dosjes së Shefave”, nuk kishin vetëm figurat më të pushtetshme të PDK-së. Ndikim kishin edhe figura lokale të PDK-së, siç është Nijazi Kryeziu, njëri prej njerëzve më të pushtetshëm të Degës së PDK-së në Prizren.
Nijazi Kryeziu dyshohet se kishte pasur ndikim në emërimin e Bordit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Prizrenit “Hidrodrini”.
Bisedat telefonike ndërmjet tij dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, tregonin se si klasifikoheshin kandidatët për bordin e “Hidrodrinit” në mënyrën më klandestine.
Dosja e Shefave III: Grabovci e Kryeziu vendosin natën për Bordin e Ujësjellsit
Agron Thaçi, i cili vazhdon të mbajë ende pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, po ashtu do të përballet me aktakuzë për korrupsion në rastin e njëjtë me Nijazi Kryeziun.
Siç dëshmohej e “Dosjen e Shefave”, Hashim Thaçi u kishte dhënë autorizime të plota Besim Beqajt e Adem Grabocit që të menaxhonin qysh të donin pozitat në Trainkos, Infrakos dhe Postë Telekomin e Kosovës.
Bazuar në këto autorizime, tashmë ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj kishin prishur konkurset në këto institucione për Borde dhe për kryeshefë ekzekutivë.
Dy krerët e lartë të PDK-së, kishin qëllim që të sillnin njerëzit e tyre. Agron Thaçin, që vazhdon ta mbajë pozitën e kryeshefit të Infrakosit, e kishin përzgjedhur për këtë pozitë si njëri të besueshëm që do të punonte për interesat e tyre.
Një njërën prej telefonatave, Beqaj dhe Grabovci flasin për Agron Thaçin. Grabovci thotë se dikush ia ka lavdëruar shumë, derisa shton se nëse në pozitën që nuk ia përmendin emrin e dërgojnë dikë që i referohet “ai i Skenderajt” veç telashe do t’u del.
Hedhja poshtë e aktakuzës, dëshmi e drejtësisë së kapur
11 të akuzuarit në rastin “Pronto” të premten janë liruar nga të gjitha akuzat.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, nuk ka pasur prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.
Adem Grabovci, ishte njëri nga më të fuqishmit – që afera “Pronto” shpërfaqi. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai kishte punësuar qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. /Insajderi.com