Niveli i ulët i Avni Arifit, përdor shpifjet e Milaim Zekës për ta fyer gazetarin Parim Olluri

Niveli i ulët i Avni Arifit, përdor shpifjet e Milaim Zekës për ta fyer gazetarin Parim Olluri

Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka fyer drejtorin e Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri, duke shpifur ngjashëm sikurse deputeti i akuzuar për mashtrim, Milaim Zeka.

Në një reagim ndaj një artikulli të shpërndarë në rrjetin social Facebook nga gazetari Olluri, me titull: “Njëri vëlla i Avni Arifit bëhet zv/ministër i Tregtisë, tjetri udhëheq kompani të madhe tregtare”, Avni Arifi ka mbrojtur veten dhe vëllain e vet.

“Krenarë me çdo cent të fituar të jo veç vllezërve të mi por edhe kusherinjëve dhe secilit individ veç e veç të familjes diku 2-300 anëtarshe të Rimanishtës. Me djersë pa tenderë e pa donacione”, i ka thënë Arifi, Ollurit.

Olluri i ka replikuar Arifit. I ka rrëfyer atij pse ka raportuar për bizneset e vëllait të tij dhe keqpërdorimet që kishte gjetur brenda kompanisë së udhëhequr nga Arben Arifi.

“Sa për sqarim unë nuk jam marrë me familjen tënde. Jam marrë me biznesin që është në pronësi të vëllait tënd”, u shpreh Olluri. “Herën e parë ishte për angazhimin e jashtëligjshëm të deputetit Daut Haradinaj si këshilltar në këtë biznes, për të përdorur autoritetin e tij prej politikani.”

“Agjencia Kundër Korrupsion pati detyruar Haradinajn të tërhiqet nga kjo pozitë. Kjo dëshmon se kisha pasur të drejtë të merrem me këtë çështje”, ka thënë Olluri.

E pas argumenteve të shtruara nga gazetari Olluri, shefi i kabinetit të kryeministrit Haradinaj ka ulur nivelin e debatit. Arifi ka përdorur shpifje për të fyer drejtorin e Insajderit.

“E kam për nder që jam mik i Daut Haradinajt dhe kësaj familje që Kosovën e kanë mbrojt me gjak. Më vjen keq që po më detyron por unë nuk mundem të jem me njerzit si ti që derdhen gjak duke vrarë fëmijët e pafajshëm Sirian pra paloje kur flet për këtë temë”, i ka thënë Arifi, Ollurit, teksa i ka drejtuar edhe një pyetje drejtorit të Insajderit.

“A ke familjarë ti të vrarë në Siri/Irak si pjesëtar të ISIS-it apo ndonjë organizate terroriste?”, i ka shkruar Arifi, Ollurit.

Olluri i është përgjigjur shpifjes së bërë nga Arifi, teksa ka shprehur zhgënjim për nivelin e shefit të kabinetit të kryeministrit Haradinaj. Drejtori i Insajderit deklaroi se është e ulët tallja me fatin tragjik të njerëzve të mashtruar nga rrymat terroriste, të cilët kanë vdekur në Siri dhe Irak.

“A e ke seriozisht, Avni R. Arifi? Nuk e besova që je nivel i Milaim Zekës. Shprehi keqardhje për nivelin tënd. Për mua personalisht është zhgënjyese që e zbulova që krahu i djathtë i kryeministrit Haradinaj e ka këtë mendësi”, tha Olluri. “Paske zgjedhur të tallesh me fatin tragjik të njerëzve të mashtruar nga rrymat ekstemiste. Shumë keq. E Ulët”.

Një shpifje të njëjtë ndaj Ollurit kishte drejtuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i cili kishte sulmuar dy drejtuesit e Insajderit, pasi gazeta kishte zbuluar mashtrimin e tij me vizat.

“Parim Olluri, i cili ka qenë i dyshuar e i hetuar për lidhjet e tij me ISIS-in pasi familjari i tij, Pajtim Olluri, është vrarë me ISIS-in në Siri, del e na përgojon tanëve, e ne i rrehim shuplakë”, kishte thënë Zeka, në një fjalim në Kuvend.

Insajderi kishte zbuluar se Milaim Zeka ka mashtruar qindra kosovarë përmes një skeme mashtrimi, që përfshinte një agjenci punësimi për t’i dhënë viza pune kosovarëve për të emigruar në Gjermani.

Insajderi raportoi dje se njëri prej vëllezërve të Avni Arifit, Fadil Arifi u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë. Ndërkohë që vëllua tjetër i tij, Arbeni, ka në pronësi një kompani të madhe tregtare, që quhet “ERC Trade”.

Njëri vëlla i Avni Arifit bëhet zv/ministër i Tregtisë, tjetri udhëheq kompani të madhe tregtare

Daut Haradinaj, në vitin 2012, sa ishte deputet i Kuvendit, zyrtarisht figuronte si Këshilltar i Jashtëm i “ERC Trade” së Arben Arifit.

Në një shkrim të publikuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, në korrik të 2012-ës, Haradinaj pati thënë se nuk ka qenë kurrë pronar aksionesh në këtë kompani, por se ishte vetëm nëpunës i saj.

“Aty jam vetëm Këshilltar i Jashtëm për shkak se Arbenit, i cili është vëlla i Avni Arifit (ish-këshilltar në Qeverinë e Ramush Haradinajt), i duhet një njeri me autoritet. Për shkak të autoritetit dhe respektit që kanë njerëzit për mua, mund t’i ndihmojë atij në biznes”, kishte thënë Haradinaj për Gazetën Jeta në Kosovë. /Insajderi.com