Teksa tre liderët kryesor të shtetit: presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë kundërshtuar arrestimin e gjashtë pjesëtarëve të organizatës “Gulistan” sot në Kosovë, një njeri tjetër dyshohet se dha urdhrin për arrestimin e shtetasve turq.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli deklaroi sot në TV Dukagjini, përgjegjëse për këtë situatë është Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI), e cila udhëhiqet nga Driton Gashi, drejtor i kësaj agjencie.
“AKI-ja është përgjegjëse sepse është këshilltar kryesor i presidentit dhe kryeministrit”, ka thënë Pacolli, teksa ka shfajësuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, i cili vjen nga radhët e partisë së tij, AKR. “Ai është një djalë koxha i meqëm. Sot e kom dëgjuar tregimin e tij cka ka ndodhë”.
Pacolli tha se Agjencia e Inteligjencës ka të drejtë të marrë këso lloj veprimesh, madje pa lajmëruar presidentin apo kryeministrin.
E personi që dyshohet se dha këtë urdhër, Driton Gashi, është drejtor i AKI-së prej më shumë se një viti. Ai ishte zgjedhur shef i Intelegjencës Kosovare më 2 shkurt të vitit të kaluar.
Driton Gashi më parë ka qenë Sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohën sa ishte ministër Bajram Rexhepi.
Gashi dikur ishte këshilltar politik i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajazitit, ndërsa më vonë në mandatin e Bajram Rexhepit ai ishte bërë drejtor i Departamentit për Siguri Publike në këtë ministri.
Sa ishte ministër Zenun Pajaziti, Gashi ka qenë konsulent i jashtëm, por më vonë u bë pjesë e kabinetit të tij.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 5 qershorit të 2013-s asokohe, e kishte emëruar Gashin si Sekretar të Përgjithshëm në MPB.
Driton Gashi e kishte marrë pozitën e shefit të AKI-së pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Agron Selimaj, i cili u dorëhoq nga pozita pas provokimeve të Serbisë më trenin në veri vitin e kaluar.
Emri: Driton
Mbiemri: Gashi
Data e lindjes: 30. 08. 1977
Vendlindja: Prishtinë
Gjendja civile: I martuar
Edukimi:
• Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Prishtinë;
• 2001- 2004: Fakulteti për shkenca politike-Universiteti i Prishtinës;
• 2010 – 2012: master në Shkenca Politike, South East Europian University Maqedoni.
Përvoja e Punës:
• Tetor 2010 – qershor 2013 – Drejtor i Departamentit për Siguri Publike MPB;
• Qershor 2008 – tetor 2010- Këshilltar i UNDP në MPB për çështje të anti-trafikimit;
• Shkurt deri qershor 2008- konsulent i UNDP për Strategjinë anti-trafikim me qenie njerëzore;
•Tetor 2005- shkurt 2008- Zyrtar i lartë për Siguri Publike-Zyra e Kryeministrit;
• Korrik 2004-shkurt 2005-Zëvendësdrejtor për hulumtime kualitative të opinionit publik- Qendra për Studime Politike;
•Qershor 2002 –shkurt 2003- Asistent i Shefit të Grupit Parlamentar-Kuvendi i Kosovës.