Obeziteti nuk duhet të definohet vetëm nga pesha, thotë studimi më i ri

Obeziteti nuk duhet të definohet vetëm nga pesha, thotë studimi më i ri

Obeziteti duhet të përcaktohet nga shëndeti i një personi e jo vetëm nga pesha e tyre, thotë një studim i ri kanadez.

Ai gjithashtu këshillon mjekët të shkojnë përtej këshillave të dietës dhe stërvitjes, raporton BBC, shkruan Insajderi.

Përkundrazi, ata duhet të përqendrohen në shkaqet kryesore të shtimit të peshës dhe të kenë një qasje më gjithëpërfshirëse për shëndetin.

Udhëzimi, i cili u botua në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Kanadeze të Martën, në mënyrë specifike përmendi stigmën lidhur me peshën te pacientët.

“Rrëfimi dominant kulturor lidhur me obezitetin fiksohet në supozime lidhur me papërgjegjësinë personale dhe mungesën e vullnetit. Një tendencë për turpërim bie mbi këta pacienta,” thuhet mes tjerash.

Ximena Ramos-Salas, drejtuese e hulumtimit në Obezity Canada dhe një nga autorët e udhëzimit, tha se hulumtimet tregojnë se shumë mjekë diskriminojnë pacientët obez, dhe kjo mund të çojë në rezultate më të këqija shëndetësore, pavarësisht nga pesha e tyre.

“Paragjykimi i peshës nuk ka të bëjë vetëm me besimin e një gjë të gabuar në lidhje me mbipeshën,” i tha ajo BBC-së. “Paragjykimi i peshës në të vërtetë ka një efekt në sjelljen e praktikuesve të kujdesit shëndetësor.”

Udhëzimi sugjeron se kriteret për peshën nuk duhet të përgjithsohen dhe nuk duhet të bazohen në kriteret e BMI (body mass index) por të fokusohen se si pesha ndikon në shëndetin e personave.

“Për një kohë të gjatë e kemi konsideruar obezitetin si një stil të jetesës, por në të vërtetë është një gjendje komplekse dhe kronike, së cilës i nevojitet menagjim gjatë gjithë jetës,” thotë Ramos -Salas.

Në vend të këshillës “ha më pak, lëviz më shumë” mjekët inkurajohen të ofrojnë mbështetje përmes terapisë psikologjike, meditimit dhe  kirurgjisë bariatrike./Insajderi.com