Opozitarët e quajnë skandaloze deklaratën e Kurtit për raportin e Ujmanit

Ambasada Amerikane tri ditë më parë ka publikuar raportin përfundimtar të Departamentit për Energji të Shteteve të Bashkuara, për menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, sipas një nga zotimeve të marrëveshjes së 4 shtatorit, që ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë. Por, dy ditë më pas, shefi i qeverisë kur u pyet nga gazetarët, tha se nuk e ka lexuar këtë raport dhe se qëndrimet e tij për këtë çështje mbesin të njëjta.

Opozitarët e quajnë skandaloze deklaratën e Kurtit për raportin e Ujmanit

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se nuk e ka lexuar akoma raportin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Liqenin e Ujmanit sipas deputetëve opozitarë është skandaloze dhe tregon papjekurinë e tij politike.

Ambasada Amerikane tri ditë më parë ka publikuar raportin përfundimtar të Departamentit për Energji të Shteteve të Bashkuara, për menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, sipas një nga zotimeve të marrëveshjes së 4 shtatorit, që ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë. Por, dy ditë më pas, shefi i qeverisë kur u pyet nga gazetarët, tha se nuk e ka lexuar këtë raport dhe se qëndrimet e tij për këtë çështje mbesin të njëjta.

E kjo deklaratë e Kurtit nga deputetët e partive parlamentare opozitare po cilësohet si e rrezikshme për raportet me SHBA-në.

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Sahatqija, në një përgjigje me shkrim për Insajderi-n tha se një deklaratë e tillë “nënçmon SHBA-në, pra partnerin më të rëndësishëm të Kosovës ne skenën botërore”.

“SHBA-ja përmes këtij raporti për Ujmanin e kanë kryer pjesën e vet të marrëveshjes, dhe tash i mbetet Kosovës e Serbisë të kryejnë pjesët e tyre. Respektimi i obligimeve që i takojnë Kosovës, vetëm se e bëjnë Kosovën palë të barabartë dhe fuqiplotë në Marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e Sahatqiut.

Sipas saj, Kurti po tregon se s’ka interesim për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë dhe se s’ka besim në SHBA-në.

Të një mendimi me Sahatqiun janë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Abelard Tahiri, thotë se “lenia në sirtarë e dokumenteve të SHBA-së nga kryeministri dhe mosshqyrtimi i tyre tregon papërgjegjshmërinë e këtij njeriu”.

Sipas tij, Kurti “duhet t’i thërras mendjes” dhe t’i shqyrtojë me prioritet të gjitha dokumentet që vijnë nga Amerika.

“Kosova s’ka pasur asnjëherë kryeministër ma të papërgjegjshëm. Kjo tregon një përbuzje ndaj Amerikës. Mosbesimi i tij ndaj SHBA-së nuk është i rastësishëm. Nuk besoj që shoqëria e Kosovës do ta tolerojë gjatë Kurtin”, deklaron ai për Insajderi-n.

Për deklaratat e shefit të ekzekutivit, deputeti tjetër i PDK-së, Fadil Nura, thotë se dyshon se me agjendë të kujt po punon.

Ndërkaq, raportin e SHBA-së për Ujmanin, Nura pohon se Kurti po e shpërfillë dhe kjo sipas tij është irrituese.

“Një kryeministër i cili dje tallej me ambasadorin amerikan për Asociacionin, sot thotë që nuk e kam lëxuar raportin e SHBA-së për Ujmanin. Nuk e di se me agjendë të kujt është. Veprimet dhe deklaratat e tij krijojnë shumë dyshime për agjendën që po përdor”.

Sa i përket studimit të fizibilitetit, ai thotë se mes Kosovës dhe Serbisë “herdo kurdo duhet një marrëveshje sepse ujërat prekin dy shtete”.

“Raporti i SHBA-së është në funksion të kësaj. Nuk shoh asgjë të keqe në atë raport, me aq sa njoh personalisht këtë çështje. Por, deklarimet dhe veprimet e kryeministrit janë skandaloze dhe të patolerueshme”.

Por, ndryshe nga bashkëpartiaku i tij, Tahiri pohon se ky Ujmani është aset i Kosovës dhe duhet të trajtohet si i tillë.

“Në asnjë rrethanë s’duhet të trajtohet si i përbashkët me Serbinë”.

Të njëjtën qëndrim me Tahirin kanë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, Ujmani edhe pse buron nga Serbia është në territorin e Kosovës dhe në këtë drejtim nuk bisedohet me Serbinë.

Megjithatë, ai shton se fizibiliteti duhet të kryhet “pasi është në të mirën e zhvillimit ekonomik të Kosovës”.

Ndërkaq, lidhur me pohimet e Kurtit për raportin e Ambasadës Amerikane, ai potencon se “po i ulë marrëdhëniet në nivelin me të ulët me SHBA-në”./Insajderi.com