Qeveria e Kosovës ka premtuar se do ta padisë shtetin e Serbisë për gjenocid në luftën e fundit në Kosovë, por këtë do ta ketë të pamundur ta bëjë, po nuk u ndihmua nga një shtet tjetër.
Arsyeja përse duhet ndihma e një shteti të tretë, siç ka shpjeguar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, është se Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Kosova pa ndihmën e një shteti tjetër nuk ka mundësi që të ushtrojë padi ndaj Serbisë”, thotë Miftaraj për Gazetën Online Insajderi.
Shtet që do të mund ta ndihmonte Kosovën ta ushtrojë padinë është edhe Shqipëria, “apo ndonjë shtet tjetër i OKB-së”, shton Miftaraj.
Kjo “në bazë të Kartës së OKB-së dhe Statutit të GJND-së është e mundur në aspektin formal”.
Se çka është gjenocidi përcaktohet me “Konventën për parandalimin dhe dënimin e Genocidit” dhe sipas Miftarajt, “në luftën e fundit në Kosovë, ka ndodhur gjenocid ndaj popullsisë etnike shqiptare në Kosovë, e organizuar dhe udhëhequr nga strukturat e shtetit serb”.
Sidoqoftë, në aspektin e dëshmimit dhe dokumentimit, sipas drejtorit të IKD-së, fatkeqësisht, mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë nuk e kanë marrë këtë çështje me seriozitet dhe nuk kanë punuar në këtë drejtim.
Për padi Kosovës i duhet një shtet tjetër, por çfarë do të mund të bënte vetë, është mbledhja e dëshmive dhe dokumentimi i asaj që ka ndodhur në luftë.
“Dhe, çka është më e rëndësishme, koordinimi, bashkëpunimi dhe mbështetja nga partnerët tanë ndërkombëtarë strategjikë”.
Këtë qeveria thotë se po e bën. Ata tashmë kanë filluar procesin e përgatitjes së padisë. Sipas zëdhënës së qeverisë, Rozafa Kelmendi, kjo po bëhet edhe “si një obligim ndaj historisë së shtetit, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura dhe ndaj ardhmërisë sonë”.
Ajo, në një përgjigje për Insajderi-n, bëri të ditur se në fazën e parë të këtij procesi janë marrë me çështjen e juridiksionit dhe analizave të brendshme dhe të jashtme, “nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë”.
“Tani jemi duke formuar ekipet që do të jenë gjithëpërfshirëse, pasi që ky proces ndonëse udhëhiqet nga qeveria, na përket të gjithëve”.
Kelmendi, në cilësinë e zërit zyrtar të ekzekutivit, tha se janë duke u formuar disa ekipe, të përbëra nga juristë dhe njohës të së drejtës, ekipe mediale si dhe ekipe të sociologëve, historianëve, politologëve dhe “profesionistëve të tjerë të fushës”.
“Ne konsiderojmë që në një çështje kaq të ndjeshme të gjithë duhet të jemi në të njëjtën anë të historisë. Krejt çka bëhet për çështjen e krimeve të kryera gjatë luftës, bëhet sepse e kemi obligim ndaj të vrarëve dhe ndaj atyre që kanë shpëtuar të gjallë”.
Nga Qeveria nuk kanë dhënë datë se kur pritet të përfundojë i tërë procesi “duke pasur parasysh që nevojitet shumë përgatitje”.
“Procesi i paditjes së Serbisë për gjenocid është proces shumë i ndërlikuar dhe i ndjeshëm që kërkon kujdes dhe kohë për t’u përgatitur e përmbyllur, me një punë masive që bëhet prapa perdeve”.
Fillimin e punës nga ana e Qeverisë për përgatitjet rreth këtij procesi i ka përshëndetur Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.
Nga kjo qendër, përmes një kumtese, janë shprehur se “ndajmë të njëjtat pikëpamje me Qeverinë e Kosovës se padia për gjenocid duhet të jetë e përgatitur mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë”.
Ndërkaq, farë mirë nuk e ka pritur, madje dhe lutje i ka bërë Kosovës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për të mos ngritur një padi të tillë.
Ai e ka cilësuar si kërcënim paralajmërimin e Qeverisë së Kosovës për ngritje të padisë.
“A mund ta kërcënoni Serbinë me procese gjyqësore për gjenocid? Ju mund ta bëni atë vetëm përmes një shteti tjetër, domethënë përmes Shqipërisë – kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. Unë u kërkoj shqiptarëve nga Kosova të mos e bëjnë atë”, ishte shprehur presidenti Vuçiq ditë më parë../Insajderi.com