Peci: Agim Bahtiri po derdhë lot krokodili për LDK-në në Mitrovicë

Peci: Agim Bahtiri po derdhë lot krokodili për LDK-në në Mitrovicë

Faton Peci, kandidat për kryetar të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Mitrovicë ka reaguar ndaj deklaratës së Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, ku është shprehur se po i dhimbet LDK-ja.

Peci përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se Bahtiri po derdhë lot krokodili për procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Mitrovicë, shkruan Gazeta Insajderi.

Lexoni edhe: Faton Peci: Nga frika e humbjes, Safet Kamberi dhe përkrahësit e tij kanë nisë përleshjen

“Reagimi i tij i shpejtë, dëshmon për interesimin e veçantë që e ka për zgjedhjet në Degën e Mitrovicës, sepse ato e përcaktojnë edhe fatin e tij politik. Problemet që sot janë shfaqur në disa nëndegë të caktuara janë investim edhe i Agimit dhe familjarëve të zyrtarëve të tij nga AKR-ja, sepse humbja e aleatit të tyre në LDK, është humbje e pushtetit për Agimin”, ka shkruar Peci.

Peci ka thënë se klimën që e ka krijuar Bahtiri në Mitrovicë, është klimë e qeverisjes me paterica të tjera, qofshin ato edhe nga një parti me traditë si LDK-ja.

Peci i ka thënë Bahtirit se një udhëheqje në Degën e LDK-së, do të thotë fundi politik i tij(Agim Bahtiri), i AKR-së dhe shuarje e ëndrrës së PDK-së për rimarrjen e pushtetit në Mitrovicë.

Agim Bahtiri ka reaguar pas konfliktit që ka ndodhur sot në komunën në Mitrovicës gjatë mbledhjes së degës së LDK-së në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri njëherit edhe anëtar i Aleancës Kosova e Re (AKR), ka reaguar lidhur me përleshjen e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Mitrovicë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bahtiri ka shkruar se si një themelues i LDK-së në vitet 89-90 apelon që kjo parti t’i zgjedhin strukturat drejtuese në mënyrë demokratike, shkruan Gazeta Insajderi.

“Si themelues i LDK-së në vitet 89-90 në Mitrovicë, apeloj te struktura e kësaj partie që t’i zgjedhin strukturat drejtuese në mënyrë demokratike, duke e respektuar vullnetin e anëtarësisë. Përleshjet fizike nuk i kontribuojnë klimës së shkëlqyeshme politike të krijuar në Mitrovicë, pas ardhjes time si kryetar komune”, ka shkruar Bahtiri. /Insajderi.com