Penisët po zvogëlohen për shkak të ndotjes, paralajmëron shkencëtari i mjedisit

Penisët po zvogëlohen për shkak të ndotjes, paralajmëron shkencëtari i mjedisit

Në rast se do të kishit nevojë për një arsye tjetër për t’u kujdesur për krizën e klimës, është zbuluar se ndotja po shkakton tkurrjen e penisëve njerëzorë.

Një epidemiolog dhe shkencëtar kryesor mjedisor ka botuar një libër i cili shqyrton lidhjen midis kimikateve industriale dhe gjatësisë së penisëve, shkruan Euronews, transmeton Insajderi.

Libri i Dr. Shanna Swan, “Count Down”, argumenton se bota jonë moderne po ndryshon zhvillimin riprodhues të njerëzve dhe po kërcënon të ardhmen e specieve tona.

Ai përshkruan se si ndotja po çon në nivele më të larta të mosfunksionimit erektil, rënie të pjellorisë dhe një numri në rritje të foshnjave të lindura me penisë të vegjël. Megjithëse fakti kryesor i tkurrjes mund të tingëllojë si një çështje qesharake, hulumtimi paraqet një portret të zymtë të jetëgjatësisë dhe aftësisë së njerëzimit për të mbijetuar.

“Në disa pjesë të botës, mesatarja e një njëzet e diçka vjeçareje është më pak pjellore sesa gjyshja e saj kur ishte 35 vjeçare”, shkruan Dr. Swan, duke e quajtur situatën një “krizë ekzistenciale globale” në libër.

“Kimikatet në mjedis dhe praktikat jo të shëndetshme të jetës në botën tonë moderne po prishin ekuilibrin tonë hormonal, duke shkaktuar shkallë të ndryshme të shkatërrimit riprodhues”.

Sipas hulumtimit të Dr. Swan, kjo përçarje është shkaktuar nga ftalatet, kimikate të përdorura në prodhimin e plastikës, të cilat mund të ndikojnë në prodhimin e hormonit endokrin.

Ky grup kimikatesh përdoret për të ndihmuar në rritjen e fleksibilitetit të një substance. Ato mund të gjenden në lodra, paketime ushqimore, detergjentë, kozmetikë dhe shumë produkte të tjera. Por Dr. Swan beson se këto substanca po dëmtojnë rrënjësisht zhvillimin njerëzor. /Insajderi.com