Ka dhjetë muaj që për katër lokale që ndodhen në qendër të Prishtinës, qiramarrësit nuk kanë paguar qira ndonëse janë duke i shfrytëzuar ato. Në fund të vitit të kaluar shfrytëzuesit kishin bërë një marrëveshje me Ndërmarrjen Publike Banesore, por pas ankesave të katër personave që pretendojnë se janë pronarët legjitim kjo ndërmarrje anulon marrëveshjen dhe thotë se nuk i ka në pronësi lokalet. Pronarët kanë kërkuar nga policia lirimin e objekteve por ky institucion është në pritje të një vendimi nga prokuroria. Ndërsa shfrytëzuesit e lokaleve thonë se nuk do t`i lirojnë lokalet pa marrë një vendim nga gjykata.
Katër lokale që gjenden në rrugën “Nëna Terezë” afër shkollës “Faik Konica” në Prishtinë janë duke u shfrytëzuar nga katër persona pa paguar asnjë cent për qira, që nga janari i këtij viti.
Lokalet që mbajnë numrin 50, 52, 54, 56, ishin lëshuar me qira tash e 18 vjet. Por në fund të vitit të kaluar Ndërmarrja Publike Banesore me qiramarrësit, duke pretenduar se është pronare e tyre.
Beg Hasimi, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Njazi Bajrami në një bisedë për Insajderin thonë se posedojnë të gjitha dokumentacionet se që nga viti 1964 ata janë pronarë të lokaleve, dhe se ato i kishin lëshuar me qira tash e disa vite.
Gjithçka kishte nisur kur në vitin 2016 Ndërmarrja Publike Banesore kishte kërkuar vërtetim të pronës duke kërkuar nga ta dokumentacionin se janë pronarë të vërtetë.
Pas një viti nga kjo kërkesë ndërmarrja publike banesore në dhjetor të vitit 2017 ka lidhur një marrëveshje me katër shfrytëzuesit e lokaleve.
Beg Hasimi, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Njazi Bajrami, thonë se marrëveshja u bë pa dijeninë e tyre.
Për më tepër e kishin quajtur, marrëveshje fiktive.
“Kontratat fiktive dhe të jashtëligjshme nuk nënshkruhen në dobi të NPB-së meqenëse sipas kësaj marrëveshje kemi mësuar se NPB nuk do të përfitojë ndonjë pagesë qiraje. Kontrata thjesht është nënshkruar që tua pamundësojë pronarëve të ligjshëm të marrin pagesat e qerasë për 1 vit, për aq sa edhe është kjo kontratë e vlefshme”, tha Beg Hasimi.
NPB: Lokalet nuk janë në pronësinë tonë, kemi shkëputur marrëveshjen
Ndërmarrjen Publike Banesore, e cila në vitin 2016 kishte kërkuar vërtetimin e pronësisë së këtyre lokaleve, në fund të vitit të kaluar lidhi marrëveshjen për lëshimin me qira të tyre duke pretenduar se ato janë në menaxhimin e saj.
Përmes një përgjigje me shkrim për Insajderin, zëdhënësja e kësaj ndërmarrje, Rajmonda Ahmetaj, ka treguar se në bazë të çfarë dokumentacioni kanë marrë vendimin.
Sipas saj, Ndërmarrja Publike Banesore posedon Kontratën me Entin Urbanistik të Prishtinës të datës 27.06.1975, në bazë të cilit ndërmarrje në cilësinë e investitorit kishte kërkuar nga Enti Urbanistik kryerjen e punëve teknike në mënyrë që ajo të ketë të drejtë investimi të përkohshëm në atë zonë.
“Dhe, duke e ditur se lokalet në fjalë janë të karakterit të përkohshëm, rrjedhimisht nuk mund t’u njihet e drejta pronësore dhe as të regjistrohen në regjistrat kadastral, kontrata në fjalë ka qenë dokumenti bazë që NPB ka ndërmarrë veprimet në lidhje me krijimin e marrëdhënieve kontraktuale me qiramarrësit në këto lokale”, thuhet në përgjigje.
Më tej në përgjigje thuhet se prona në fjalë në pajtim me Ligjin për Pronësinë dhe të drejtat Tjera Sendore është objekt i luajtshëm dhe në pajtim me këtë dispozitë ligjore, rrjedh se objektet e përkohshme –montazhë, kioskat dhe strukturat e përkohshme-montazhë, sikurse në rastin konkret, nuk konsiderohen si objekte të paluajtshme.
“Për më tepër, neni 14 paragrafi 1 dhe neni 26 paragrafi 2 i Ligjit për Ndërtimin ( Gazeta Zyrtare e SPAK nr. 14/80) përcakton se kur një organ kompetent bënë një ndarje për shfrytëzim të përkohshëm për nevoja të përkohshme të pikuesit për vendosjen e strukturave të përkoshme-montazhë, atëherë ai organ ka të drejtë që në përputhje me nevojat e planifikimit urban, ta zhvendosë atë strukturë me shpenzime personale të shfrytëzuesit. Një objekt i përkohshëm nuk mund të jetë temë për njohjen e të drejtës pronësore dhe as të regjistrohet në regjistra të pronës të zyrës kadastrale”, thuhet në përgjigje.
Por pas ankesave nga pretenduesit se janë pronarë të vërtete të lokaleve, ndërmarrja banesore kishte kërkuar nga Drejtoria e Pronës dhe Drejtorisë së Kadastrit verifikim rreth pronësisë, duke përmendur këtu Kontratën në mes Ndërmarrjes Publike Banesore dhe Kontratës me Entin Urbanistik të Prishtinës të datës 27.06.1975.
Pasi ka marrë një përgjigje se ndërmarrja nuk i ka në menaxhim lokalet, ajo ka shkëputur marrëveshjen.
“Menjëherë pas pranimit të përgjigjes nga Drejtoria e Kadastrit, në bazë të cilës për parcelat ku janë të vendosura lokalet nr. 50, 52, 54 dhe 56 nuk janë nën menaxhim të Ndërmarrjes Publike Banesore, kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore dhe në cilësinë e qiradhënësit, më datë 10.04.2018 u kemi dërguar qiramarrësve Arben Begolli, Fetije Konxheli, Valdrin Geci dhe Besnik Gashi , njoftimin për shkëputje të kontratave mbi qiranë e lokalit të datës 29.12.2017 të lidhura në mes të lartpërmendurve dhe Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A në Prishtinë.
Në ndërmarrjen Publike Banesore, thonë se nuk kanë marrë asnjë euro si pages qiraje.
“Ju njoftojmë se Ndërmarrja Publike Banesore përkundër lidhjes së kontratave me qiramarrësit e këtyre lokaleve, asnjëherë nuk ka përfituar të hyra nga to”, thuhet në përgjigjen e NPB.
Një përgjigje me shkrim ndërmarrja u ka dërguar edhe Beg Hasimi, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Njazi Bajrami, në fund të muajit gusht. Në të thuhej se pas shqyrtimit të kërkesave të tyre dhe dokumentacionit që e posedonin nga komuna kjo ndërmarrje nuk është pronare e lokale.
Edhe pas shkëputjes së marrëveshjes dhe kësaj përgjigje nga ndërmarrja Beg Hasimi, tha se loja dhe manovrimet rreth lokaleve ka vazhduar.
“Qiraxhinjët kanë refuzuar të lidhin kontrata të reja, po ashtu kanë refuzuar të paguajnë qira dhe të lirojnë lokalet”, tha Hasimi.
Hasimi tha se kanë hapur rast për pengim posedimi të lokaleve, rasti tashmë është në proces gjyqësor.
Qiramarrësit: Presim një vendim gjykate
Insajderi ka kontaktuar edhe me katër shfrytëzuesit e lokaleve. Bashkim Kongjeli, Arben Begolli, Besnik Gashi dhe Valdrin Geci thonë se gjenden në një situatë kur nuk mund t`i leshojnë lokalet pa e kuptuar se pse u shkëput marrëveshja një anshëm dhe pa marrë një vendim gjykata.
Bashkim Kongjeli thotë se për shkak se kontrata është shkëputur në mënyrë të njëanshme dhe nuk janë përfillur të drejtat e tyre ata e kanë dërguar rastin në gjykatë.
“Tash ne presim nga gjykata me vendos kush kujt duhet me i pagu qira, kush me nejtë në lokale edhe me vërtetu kush është titullar i lokale. Kanë ardhë edhe policia, edhe kur e kanë kuptuar se rasti është në gjykatë kanë thanë se duhet të presim vendimin”, tha ai.
Mst: prokuroria ende nuk ka marrë vendim për lirimin e lokaleve
Beg Hasimi, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Njazi Bajrami në muajin shtator kanë kërkuar nga policia lirimin e lokaleve pasi konsiderojnë se janë “uzurpuar” nga qiramarrësit.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti, tha se e kanë pranuar këtë kërkesë por janë në pritje të një vendimi nga prokuroria për të vepruar.
“Ne e kemi pranuar kërkesën nga pronarët e katër lokaleve me 9 shtator, menjëherë e kemi përcjellë rastin në prokurori tash jemi në pritje të një vendimi nga prokuroria”, tha Ahmeti.
Kurse zëvendëskryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha, tha për Insajderin se ende nuk është marrë asnjë vendim lidhur me kërkesën por se rasti është në procedurë.
“Për shkak se rasti është edhe në gjykatë edhe në fakt nuk dihet ende kush janë pronarët e vërtetë në këtë rast. Por nëse janë të vërteta pohimet e ankuesve dhe ka pushtim të pronës të paluajtshme në mënyrë arbitrare nga ata që pengojnë atëherë është çështje e prokurorisë edhe ne do të veprojmë”, tha Berisha. /Insajderi.com
Beg Hasimi, Rrahim Begolli, Ilhan Domaniku dhe Njazi Bajrami thonë se posedojnë këto dokumentacione që nga viti 1964