
Ilir Krasniqi ish-ortaku i Milaim Zekës deputetit në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, ka thënë se ky i fundit ka prish kontratën e tij biznesore për shkak se nuk i ka ndihmuar ta financojë fushatën e tij.
Refuzimi për t’i financuar fushatën në të cilën Milaim Zeka po pretendonte të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, ishte shkaktari që sipas Ilir Krasniqit, çoi në konflikt dy ortakët Milaim Zekën dhe Ilir Krasniqi.
Në një intervistë për Kohavisin, Krasniqi ka thënë se ai ishte raportuar në Policinë e Kosovës nga Milaim Zeka.
“Unë të sponsorizoj fushatën e tij parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe se i shkojnë me dhjetëra mijëra euro, po unë nuk kamë qenë i pajtimit edhe qysh me than kemi pas kacafytje përmes telefonit dhe mi dërgon disa shkresa ku thotë se isha sot në polici për krime serioze dhe jam duke të shpallur fletë arrest”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka shtuar se deri tani u ka kthyer rreth 286 mijë euro aplikuesve të cilëve u kishte marrë paratë në këmbim të vizave.
Mirëpo këtë është duke mohuar avokati i Milaim Zekës, Gazmend Halilaj. Ai thotë se klienti i tij nuk ka pas fare nevojë që para që të bëjë fushatë kur është zgjedhur deputet.
“Milazim Zeka fare nuk ka bërë fushatë dhe as nuk ka pas nevojë të bëjë fushatë, vetë figura e tij dhe kontributi i tij i më herëshëm kanë qenë të tilla dhe ka qenë një punë e lehtë që Milaim Zeka t’i grumbullojë votat e nevojshme për të fituar, ai biznes nuk ka funksionuar fare, ka qenë inegzistent”, ka thënë Halilaj.
Gazeta Insajderi kishte raportuar në tetor të vitit të kaluar se Milaim Zeka së bashku me Ilir Krasniqin kishin mashtruar 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi.
Aplikantët kishin paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit ata ishin gjendur brenda një skeme mashtrimi. /Insajderi.com
Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani